E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e Gjon Kryepremit në Akademinë e Arteve

 

Nesër në orën 20.00 në sallën e madhe të Akademisë së Arteve në Tiranë, Teatri “Migjeni” i Shkodrës shfaq komedinë e “përgjakshme” “Shën Gjon Kryepremi” me tekst dhe regji të Stefan Çapalikut si dhe me pjesëmarrjen e aktorit Rikard Ljarja në rolin kryesor, atë të Gjonit. Me skenografi nga Zef Paci, kostume nga Belinda Maci dhe koncertmaestër Marjan Deda në këtë shfaqje interpretojnë aktorët Zyliha Miloti, Agron Dizdari, Frederik Fistani, Enver Hyseni, Merita Smaja, Rita Gjeka, etj. Ngjarjet janë vendosur në një shtëpi qytetase me 29 Gusht të vitit 1968. Është koha e revolucionit kulturor. Ka filluar shkatërrimi i kishave dhe xhamive. Në shtëpinë e Gjonit arrin nga jashtë televizori i parë në qytet. Ardhja e televizorit koincidon me ditën e Shën Gjon Kryepremit apo ditën e emrit të së zotit të shtëpisë. Ardhja e televizorit nuk mbetet pa rënë në sy të banorëve të mëhallës, të cilët vijnë dhe mbushin shtëpinë e Gjonit. Nis përpjekja për të vënë në punë këtë aparat të çuditshëm me anë të cilit mund të çahet izolimi komunist. Përgjatë veprimit skenik kemi edhe risemantizimin e televizionit si një media që merr përsipër të gjithë vëmendjen dhe besimin e njerëzve. Ndërkohë, pra, që jashtë po shkatërrohen religjionet e vjetra, brenda po lind një i ri: televizioni. Sfondi biblik shërben për të krijuar asociacion midis fatit tragjik të Gjon Pagëzorit dhe Gjonit tonë, të zotit të shtëpisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›