Kledi Kadiu; një përrallë jeta ime
Mediat tani kanë marrë dhenë: Kledi Kadiu pas suksesit televiziv, pas sprovës kinematografike, tani me plot arsye të gjitha i hedh në një libër. “Më e bukur se një përrallë - Jeta ime”, ka tërhequr vëmendjen mbrëmë ne mjediset e “Just club”, vendi ku Kadiu bëri promovimin e rrëfimit të tij. Një libër ku tregon jetën si erdhi deri në rrëfimin e tij, shkruar në italisht, përkthyer nga Lura Baçi. Ca ëndrra vijnë prej nga larg dhe, falë këmbënguljes, talentit, pasionit, arrijnë edhe më lart nga sa do të mundej vetëm të përfytyrohej. Kur hipi te “Vlora”, anija që trishtueshëm mbeti e njohur se transportonte nga Shqipëria për në Itali një ngarkesë çnjerëzore me qenie njerëzore, Kledi kishte vetëm një palë pantallona të shkurtra, një palë shapka me gisht të ngrëna nga përdorimi dhe një pasion shumë të madh për baletin. Ishte fuqia e ëndrrës që e shtynte të ecte përpara, në atë hambarin e anijes, në mes të një turme njerëzish të dëshpëruar, mbi platformën e portit, duke luftuar për pak ujë për të pirë, i mbyllur brenda në stadiumin e Barit, dhe pastaj kur mori arratinë në mes të fushave të fshatit dhe i ndjekur këmba–këmbës, si ndonjë lepur i egër. Ajo dëshirë për t’ia dalë mbanë, që e bëri të shtrëngonte dhëmbët në Akademinë aq të rreptë të Baletit të Tiranës dhe të duronte aq shumë shuplaka, në mes të shumë duarve të zgjatura, në jetën si klandestin këtu në Itali. Pastaj arriti fati i mbarë, Maria De Filippi, programi “Amici” dhe gjithë të tjerat. Që, po ta mendojë tani, ende nuk e beson. Dhe kur shikon një turmë të
rinjsh, të gjithë të grumbulluar e të ngjeshur në një shesh, për të parë atë që kërcen, nuk mund të mos mendojë për atë anijen, nga është nisur, duket si një jetë më parë.
Ky libër është një histori shembullore që bëhet roman. Janë faqe të mbushura me një intensitet befasues, me emocione dhe aventura të shumta në ngjitje dhe në zbritje, që të lënë gojëhapur. Dhe, në fund, buzëqeshja e Kledit duket se thotë se nuk duhen braktisur kurrë ëndrrat që secili ka, sepse përrallat ndoshta ekzistojnë me të vërtetë.