E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2010, rreth 363.3 miliardë lekë në arkën e shtetit



Tabele: Të ardhurat në buxhetin 2010

Totali i të ardhurave parashikohet 363.3 miliardë lekë

Të ardhurat nga tatimet e doganat 250.7 miliardë lekë

Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore 61.2 miliardë lekë

Parashikimi për të ardhurat nga pushteti lokal 20.9 miliardë lekë

Të ardhurat jotatimore 23.9 miliardë lekë

Teuta Shamku

Buxheti i vitit 2010 është mjaft ambicioz. Veç rritjes së investimeve në fusha të ndryshme të ekonomisë shqiptare, ai parashikon një rritje të ndjeshme të të ardhurave totale në buxhetin e shtetit. Sipas relacionit që shoqëron buxhetin e vitit 2010, të hartuar nga ekspertë të Ministrisë së Financave, në vitin që vjen parashikohet që totali i të ardhurave të jetë 363.3 miliardë lekë, me një rritje prej 11.4 për qind kundrejt buxhetit të rishikuar të vitit 2009. Buxheti i vitit 2010 parashikon që të ardhurat nga tatimet e doganat të jenë 250.7 miliardë lekë, me një rritje prej 12.6 për qind, krahasuar me vitin 2009. Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore parashikohen në 61.2 miliardë lekë, me një rritje prej 13.6 për qind krahasuar me vitin.

Parashikimi për të ardhurat nga pushteti lokal për vitin 2010 është 20.9 miliardë lekë, me një rritje prej 13.8 për qind kundrejt vitit 2009. Parashikime fiskale të vitit 2010, të bazuara në ecurinë e treguesve makroekonomikë e fiskalë të vitit 2009, si dhe mbi kuadrin e rishikuar makroekonomik 2010–2012, krijojnë mundësinë e rritjes së të ardhurave. Shumë ndryshime që janë bërë në disa ligje, mbi fiskun do të rrisin të ardhurat nga disa zëra të ardhurash në vitin 2010. Kështu ndryshimi i ligjit të akcizës, miratuar në Parlament në shtator 2009, i cili solli rritjen e nivelit të akcizës mbi disa mallra të fortë, siç janë pijet alkoolike, kafeja dhe produktet e duhanit, do të ketë efekt të plotë në vitin 2010. Efekti në të ardhura nga rritja e normës së akcizës për këto mallra llogaritet përafërsisht në 2.500 milionë lekë (2.5 miliardë) për vitin buxhetor 2010. Po kështu, vazhdimi i reduktimit të taksës doganore si rezultat i zbatimit të angazhimeve tarifore në Marrëveshjen e Ndërmjetme BE-Shqipëri, CEFTA, MTL me Turqinë do të ketë efekt mbi nivelin e të ardhurave nga kjo taksë për 2010. Tarifa doganore mesatare për vitin 2010 llogaritet në 1.3 për qind, nga 1.68 për qind që ishte në vitin 2009. Po kështu ndryshimi i nivelit të taksimit të lojërave të fatit, me ligjin nr. 10149, datë 28.9.2009, i cili llogaritet të ketë një efekt mbi të ardhurat nga taksat nacionale prej rreth 1 miliard lekë për vitin 2010. Gjithashtu rishikimi i kuadrit ligjor të TVSH-së gjatë 2009 ka sjellë dy ndryshime të rëndësishme: pritet të miratohet në Këshillin e Ministrave vendimi që ul pragun e regjistrimit të subjekteve për TVSH-në, nga 8 në 5 milionë lekë. Ndryshimi i fundit i ligjit të TVSH-së i kaluar në Kuvend në shtator 2009, ligji nr. 10144, datë 28.9.2009 përjashton nga taksimi në import të gjitha shtypshkrimet, revistat, gazetat dhe librat e çdo lloji. Efekti në të ardhura për vitin buxhetor 2010 llogaritet në rreth 350 milionë lekë. Të gjithë këto ndryshime parashikojnë që të ardhurat në buxhetin e rishikuar për vitin 2010 do të jenë në total në nivelin e 363.3 miliardë lekëve, me një rritje prej 11.4 për qind kundrejt buxhetit të rishikuar të vitit 2009. Të ardhurat nga tatimet e doganat parashikohet të jenë 250.7 miliardë lekë, me një rritje prej 12.6 për qind krahasuar me vitin 2009. Të ardhurat në total për tatim fitimin janë parashikuar në 19.7 miliardë për vitin 2010, me një rritje prej 12.3 për qind ndaj vitit 2009. Të ardhurat që parashikohen të mblidhen nga akciza për vitin 2010 janë 42.4 miliardë lekë, me rritje 15.3 për qind kundrejt vitit 2009, duke arritur në 3.3 për qind të PBB-së. Nga totali i të ardhurave nga akciza, administrata doganore pritet të mbledhë rreth 26.8 miliardë lekë, ose 14.7 për qind më shumë se në vitin 2009. Të ardhurat nga akciza në doganë ndikohen direkt nga sasitë e importuara të mallrave të forta. Administrata tatimore pritet të mbledhë 15.7 miliardë lekë nga akciza, me një rritje prej 16.2 për qind kundrejt vitit 2009. Edhe këtu do të ushtrojë ndikim rritja fundit e nivelit të akcizës mbi cigaren. Efekti në total i ndryshimeve ligjore është rreth 2.5 miliardë lekë për vitin 2010.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›