Tiranë; Biznesmeni Taçi kërkon nga gjykata ndryshim mase
Rezart Taçi, biznesmeni i akuzuar për rrahje të gazetarit Mero Baze, ka depozituar dje përmes avokatëve një kërkesë në Gjykatën e Tiranës, ku kërkon nga gjyqtarja Farije Budo ndryshimin e masës së arrestit. Kërkesa u depozitua paraditen e djeshme nga dy avokatët e tij, Maks Haxhia e Artan Hajdari. Duke e konsideruar të padrejtë caktimin e masës “arrest me burg” disa ditë më parë, pasi u refuzua garancia pasurore prej 100 mijë eurosh, avokatët argumentojnë se gjyqtarja nuk ka zbatuar Kushtetutën. Kërkesa pritet të shqyrtohet në ditët në vazhdim nga gjyqtarja që caktoi masën të shtunën e kaluar. Ndërkohë biznesmeni Taçi vazhdon të qëndrojë në ambientet e paraburgimit, ndërkohë që dy ditë më parë ka deklaruar për hetuesit se nuk e ka qëlluar ai Bazen, por badigardët e tij.