E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita: Të largohen ministrat nën hetim

Debati Qeveria: Politika është e ndarë nga drejtësia

Zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës thonë se rendi dhe ligji janë plotësisht të ndarë nga çështjet politike dhe i kanë cilësuar spekulime njoftimet për mundësinë e arrestimeve të drejtuesve qeveritarë, të dyshuar se janë të përfshirë në korrupsion. Por përfaqësues të opozitës në Kosovë kanë kërkuar largimin e, siç thonë, ministrave të korruptuar dhe i kanë cilësuar si problematikë udhëheqësit aktualë të Kosovës. Misioni i BE-së për sundimin e ligjit ka paralajmëruar vazhdimin e bastisjeve në disa institucione të tjera të vendit, në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, u shpreh se institucionet e Kosovës kanë treguar vullnet politik dhe bashkëpunim në të gjitha proceset që po zhvillohen.

“Ne kemi thënë dhe jemi të gatshëm që të marrim rolin drejtues në këtë luftë me një rol bashkëpunues, mbikëqyrës dhe këshilldhënës të EULEX-it”, tha Kuçi. Opozita në Kosovë ka kërkuar veprim të menjëhershëm të ligjit në Kosovë dhe largimin e të gjithë ministrave, që ajo i ka cilësuar si të korruptuar. Blerim Shala nënkryetar i AAK-së, tha se “Ne jemi të bindur se problemi kyç në këtë qeveri është vetë institucioni i Kryeministrit apo udhëheqja e sotme e Kosovës, që është përgjegjës kryesor për përhapjen marramendëse të korrupsionit”, tha Shala. Ndërkohë, misioni europian për sundimin e ligjit ka paralajmëruar vazhdimin e bastisjeve në nivele të ndryshme, në kuadër të aksionit për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Zyrtarë të misionit thonë se Zyra e Prokurorit të Posaçëm po heton 38 raste të korrupsionit në një nivel të lartë, përfshirë edhe zyrtarë të qeverisë në Prishtinë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›