Kleveland, 10 trupa në shtëpinë e tmerrit
Policia e Kleveland-it, Ohio, ka gjetur gjithsej 10 kufoma në “shtëpinë horror” të Antoni Souell, i akuzuar deri tani për 5 vrasje. Policia dyshon se Souell i tërhiqte viktimat në shtëpinë e tij për t’i përdhunuar e më pas mbytur. Policia e kishte kontrolluar shtëpinë gjatë javës së kaluar pas denoncimit të një gruaje që kishte akuzuar Souell se e kishte përdhunuar pasi e kishte futur në shtëpinë e tij. Fillimisht agjentët kishin gjetur gjashtë trupa, pothuajse të gjithë në fund të dekompozimit, ndërsa gërmimet e fundit në oborrin e tij nxorën tre trupa të tjerë. Rezultatet e para të analizave kanë treguar se pesë gratë e para ishin afro-amerikane që janë përdhunuar e më pas mbytur. Fqinjët ishin ankuar shpesh për erën e keqe në lagje, por ia kishin vënë fajin një dyqani salsiçesh pranë shtëpisë së Souell. Policia po përpiqet të identifikojë viktimat nëpërmjet ADN-së. Souell, 50 vjeç, kishte përfunduar një dënim prej 15 vitesh (1990-2005), pasi kishte përdhunuar një grua shtatzënë. Gërmimet rreth shtëpisë së tij do të vazhdojnë dhe banesa do të çmontohet për të parë nëse ka ende trupa të tjerë të fshehur.