E Diel, 1 Nëntor 2026

Thirrjet për pjesëmarrje në zgjedhje “trullosin” serbët

 

Serbët e Kosovës janë ‘trullosur’ nga thirrjet kundërthënëse të politikanëve nga Kosova dhe Serbia mbi pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, gjatë vizitës së tyre në familje serbe në Lipjan, i kanë bërë thirrje komunitetit serb që të dalë në zgjedhje. Thaçi tha se ka ardhur në këtë familje serbe, për të promovuar fillimin e një jete të re, ndërsa Dell tha se është duke vërejtur përmirësime sa i përket integrimit të serbëve. “Para disa viteve”, tha Dell, “as që është menduar se një kryeministër i Kosovës do të vizitonte një familje serbe, ndërsa tani kjo po ndodh”. Nga ana tjetër qeveria e Serbisë ka kërcënuar serbët e Kosovës, të cilët konkurrojnë në zgjedhjet komunale të 15 nëntorit në Kosovë, se do t’u duhet të zgjedhin ndërmjet vendit aktual të punës që paguhet nga Beogradi dhe asaj që u ofron Qeveria e Kosovës. Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, është shprehur në agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” se serbët duhet të mendohen mirë para se të marrin vendim për të dalë në zgjedhje, ndërsa ka tërhequr vërejtjen se pjesëmarrja në zgjedhje, tani pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk është njësojë si më parë. “Nuk është mundur që njeriu njëkohësisht në dy vende të punës të ushtrojë punën dhe të marrë dy rroga. Nuk është e mundur që njeriu të jetë kryetar i Komunës së Prishtinës, me seli në Graçanicë, për shembull dhe të jetë kryetar i Komunës së Graçanicës, e cila do të formohet pas zgjedhjeve të Kosovës”, tha Ivanoviç, citon “Express”. “Druhem se nuk po kuptojnë se me pjesëmarrje në zgjedhje bien në kurth, sepse me vrapimin individual ndoshta e sjellin në rrezik pozicionin e të gjithë serbëve ndaj Qeverisë së Serbisë. Të gjithë serbët e Kosovës sillen në pozicion të vështirë, për shkak të individëve, të cilët mendojnë se me daljen në zgjedhjet e Kosovës, e zgjidhin ndonjë problem të vetin personal, apo problemin e një grupi të vogël”, ka shtuar Ivanoviç. Por sipas tij, e tërë popullata serbe në Kosovë rrezikohet nga këto sjellje, sepse ekzistenca ekonomike e serbëve në 99 për qind të rasteve direkt, apo tërthorazi, mbështetet në varësinë nga buxheti i Serbisë. Ivanoviç, sqaron “Express”, ka theksuar se qëndrimi i Qeverisë së Serbisë është se kandidatët që dalin në zgjedhjet e Kosovës nuk do të sanksionohen, por përfaqësuesit e zgjedhur duhet të përcaktohen a duan të paguhen nga buxheti i Kosovës, apo ai i Serbisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›