E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëllohet me shtatë thika dentistja

 

DURRES/ OERD ULQINI

Qëllohet në klinikë me 7 thika mjekja stomatologe. Rukie Balla, 50 vjeçe ka përfunduar në spital në gjendje të rëndë, ndërsa autori sipas policisë është një i afërm i saj, 22 vjeç, i njohur për shfaqjen e problemeve mendore. Sipas burimeve policore, ngjarja ndodhi rreth orës 10:20 të ditës së djeshme, në klinikën e Ballës, në zonën e njohur si “4 Rrugët” e Shijakut. Mësohet se mjekja ishte duke punuar, ndërsa në klinikë ndodheshin të tjerë pacientë. Në ato momente është afruar shtetasi 22-vjeçar, Denis Balla. Dëshmitarët pohuan se mjekja i është drejtuar me fjalë të zakonshme të njohurit të saj, por ky i fundit ka reaguar dhunshëm. “Erdhe ti Denis?”, i ka folur ajo me përshëndetjen e përditshme. Por, i riu në befasi ka nxjerrë një thikë që mbante me vete dhe e ka sulmuar dentisten që në ato momente po kontrollonte dhëmbët e një pacienti. Mjekja është rrëzuar përtokë, ndërsa dy dëshmitarët që ndodheshin në klinikë kanë dhënë alarmin. Autori është mundur të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policia ka mbërritur me shpejtësi në klinikën e 4 Rrugëve, duke bërë dhe transportimin e të plagosurës në spitalin e Durrësit. Gjendja e saj sipas mjekëve ishte kritike deri në orët e mbrëmjes, kur pas ndërhyrjes kirurgjikale u dhanë shpresa për jetën. Gjatë gjithë ditës autori ishte në kërkim nga policia, jo vetëm për krimin e rëndë, por dhe për faktin se në kushtet psikike në të cilat ndodhej mund të provokonte ndonjë tjetër ngjarje. Vetëm në orët e mbrëmjes, familjarët e 22-vjeçarit kanë arritur në gjurmët e tij, duke e dorëzuar në komisariatin e policisë. Sipas të dhënave që mblodhi policia rezulton se Denis Balla, kushëri i dytë me dentisten e plagosur, vuante prej rreth 5 vitesh nga probleme mendore. Familjarët e tij e kishin shtruar në spitale për kurim, por pas mjekëve e mbanin në shtëpi. Të gjithë të afërmit e tij e mbanin afër e një prej tyre ishte dhe 50-vjeçarja Rukie Balla. Banorë të zonës thonë se gruaja e ushqente dhe shpeshherë e mbante në dyqanin e saj. Nuk dihet se çfarë ndodhi me të riun, kur dje ka nxjerrë armën me të cilën qëlloi 7 herë kushërirën e tij. Familjarët kanë treguar për policinë se nuk e kishin idenë se ku e kishte gjetur thikën ai, pasi nuk kishte krijuar më parë ndonjë incident. Pritet që pas marrjes në pyetje, mjekët të mund të provojnë shëndjen psikike të të riut.

Dhuna ndaj mjekëve

Një muaj më parë, në spitalin e Durrësit u ekzekutua me armë zjarri shefi i radiologjisë, Fatmir Thaçi. Ai u qëllua për vdekje nga burri i një punonjëse të spitalit, e cila vari veten disa muaj para vrasjes së Thaçit. Ali Lorja ishte shprehur se gruaja e tij u vetëvra, nga turpi për fjalët që i kishin dalë për një lidhje mes saj dhe shefit të radiologjisë, Thaçi. Ky i fundit njihej në Durrës e më gjerë si një ndër specialistët më të mirë të fushës. Autori e qëlloi disa herë me pistoletë Thaçin në mes të spitalit, në mes të pacientëve dhe kolegëve të tij. Ngjarja e paprecedentë shkaktoi alarm në radhët e mjekëve, të cilët pohuan se e ndjenin veten të pambrojtur. Ndërsa një javë më parë një infermiere e spitalit të Krujës u rrah barbarisht nga një pacient në gjendje të dehur.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›