Pas paralajmërimit të Papandreut, Ivanov fton Papuliasin në Maqedoni
Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, i dërgoi një ftesë zyrtare homologut të tij grek, Karolos Papulias për një vizitë në Shkup. Ftesa vjen një ditë pas paralajmërimit të Kryeministrit grek, Jorgo Papandreu, se Shkupi duket të harrojë shansin për të vazhduar procesin e integrimit në BE dhe NATO që diskutohet në samitin e dhjetorit, nëse deri atëherë nuk ka dhënë shenja për vullnet të mirë në zgjidhjen e konfliktit të emrit që zgjat rreth dy dekada. “Jam thellësisht i bindur se me vizitën Tuaj, ne si njerëz të parë të dy vendeve fqinje do të japim kontribut të konsiderueshëm në vizionin tonë të përbashkët dhe definitivisht do të japim një impuls plotësues të fortë për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, thuhet në ftesën, që presidenti Ivanov ia dorëzoi të mërkurën ambasadores greke në Shkup, Aleksandra Papadopullu të cilën e takoi dje paradite. Sipas citimit në ftesën e Ivanov, ‘marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Greqisë ka shumë më tepër gjëra që i lidhin dhe afrojnë, sesa ndajnë’. “Kam besim të fortë se me angazhime të përbashkëta do të kontribuojmë në forcimin e lidhjeve tona, të cilat do të jenë në interes të qytetarëve të vendeve tona”, shkruan Ivanovi. Presidenti maqedonas “qëndron në disponim për përcaktimin e terminit që më së shumti konvenon për realizimin e vizitës, si dhe përmbajtjet e programit”.