“Vrasësi i lirë”, protesta në gjykatë
Burrel / Hasan Pasha
Kanë protestuar dje para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat familjarët e të vrarëve 8 vjet më parë Vladimir e Nikolin Haxhia nga fshati Baz i Matit. Dy baballarët e të rinjve të vrarë, vëllezër dhe kunata e tyre kanë tentuar të hyjnë forcërisht në mjediset e gjykatës dhe të takohen me drejtuesit e institucionit dhe gjyqtarët që i dhanë pafajësi Vladimir Daçit, të akuzuarit të vetëm për vrasjen e dyfishtë.
Dy javë më parë Prokuroria e Rrethit, nëpërmjet prokurorit Sabri Kastrati kërkoi nga trupi gjykues 25 vjet heqje lirie, madje të gjitha seancat janë ndjekur edhe nga kryeprokurori i Matit, Lazër Çardaku. Teksa familjarët prisnin ndëshkimin e autorit që sipas tyre tashmë ishte gjetur dhe provuar me fakte, gjykata Mat e la të lirë Daçin. Familjarët në protestën e tyre thanë se vendimi është marrë me shumicë të thjeshtë, pasi njëri nga gjyqtarët ka kërkuar burgim të përjetshëm. Kunata e Nikolin Haxhisë, Angjelina duke protestuar tha për “Panorama” se lirimi i autorit të ngjarjes ka indinjuar gjithë të afërmit e viktimave dhe se kjo mund të sjellë të tjera pasoja të rënda për familjarët e tyre.
Përse jeni sot para godinës së Gjykatës së Matit?
Kemi ardhur të protestojmë ndaj një vendimi të padrejtë të kësaj gjykate. Sipas nesh, vendimi i dhënë për lirimin e autorit të krimit, Vladimir Daçi është një gabim i rëndë i trupit gjykues. Janë vrarë dy njerëz, ndërsa gjyqtarët bëjnë pazar me gjakun e dy djemve të rinj. Ne nuk mund të lejojmë që të bëhet biznes me jetën e dy njerëzve tanë të pafajshëm. Kemi vënë në dijeni Presidentin e Republikës, Prokuroren e Përgjithshme për lirimin e padrejtë të autorit.
I keni ndjekur seancat gjyqësore dhe ku i bazoni akuzat tuaja se Daçi është autori i ngjarjes?
Ne e kemi ditur prej 8 vitesh se autori i ngjarjes është Vladimir Daçi. U ndalua nga policia dhe pas pak kohësh u la i lirë. Një vit më parë, pas këmbënguljes sonë prokuroria rinisi hetimet dhe gjeti prova e fakte se autori i ngjarjes është Vladimir Daçi. Në fakt që atëherë motra, mbesa dhe ai vetë kanë pranuar se autori i vetëm i ngjarjes është Vladimir Daçi. Prokuroria mblodhi fakte të shumta, ndërkaq në gjyq pati dëshmi që provojnë krimin e kryer ndaj dy njerëzve tanë.
Jeni në dijeni për vendimin e marrë dhe cilat janë pretendimet tuaja?
Kur prokurori S.Kastrati dha pretencën për dënimin e Vladimir Daçit me 25 vjet heqje lirie ne nuk na erdhi mirë, madje ngritëm edhe akuza të pavërteta për prokurorinë. Ndërkohë pas publikimit të vendimit nga gjyqtarët Artan Çupi, Vesel Bako dhe Ali Koleci me një nxitim të paparë kemi mbetur të shtangur. Burime të sigurta na thanë se Koleci kërkoi burgim të përjetshëm për Daçin ndërsa Çupi e Bako dhanë pafajësi, duke shkelur mbi gjakun e kunetërve të mi.
Ç’rrugë do të ndiqni në të ardhmen?
Burrat janë betuar se nëse drejtësia nuk vihet në vend do të hakmerren sipas Kanunit. Përderisa gjykatat janë kaq të korruptuara ne nuk kemi rrugë tjetër për të zgjidhur hallin që në ka rënë mbi kokë. Presidenti dhe Prokuroria e Përgjithshme janë vënë në dijeni dhe presim ndërhyrjen e tyre që autori të rikthehet në qeli dhe gjyqtarë të tillë të ndëshkohen sipas ligjit.
Një gjyqtar i pezulluar nga KLD
Më 10 nëntor të vitit të kaluar Këshilli i Lartë i Drejtësisë pezulloi pa afat gjyqtarin e Burrelit Vesel Bako pasi sipas Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ai ishte filmuar duke marrë ryshfet. Denoncimi për gjyqtarin Bako i është përcjellë asokohe Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme. Ndërkaq, pas afro një viti pezullim nga puna, Bako është rikthyer në Gjykatën e Matit. Në seancën e fundit gjyqësore ai ka bashkuar votën e tij me kryetarin e gjykatës, Artan Çupi, për të liruar nga burgu Vladimir Daçin.
Prokuroria: Po hetojmë për akt korruptiv
Pas protestës familjarët i janë drejtuar Prokurorisë dhe kanë kërkuar një takim me kreun e saj, Lazër Çardaku. “Kërkuam në seancën e parafundit deklarimin fajtor të autorit dhe dënimin me 25 vjet burg. Sipas nesh, vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat është dhënë në kundërshtim të hapur me ligjin. Brenda 10 minutave është dhënë vendimi me pakicë votash, pa analizuar si duhet provat dhe faktet. Ne do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për dhënien e drejtësisë dhe do relatojmë çështjen në KLD”. Prokurori kërkoi nga familjarët që të presin reagimin e drejtësisë e të mos ndërmarrin hapa ekstremë, siç është Kanuni. Sipas tij po hetohet dhe në pistën e ngritur nga familjarët nëse ka akte korruptive në lidhje me këtë vendim të dhënë nga Gjykata e Burrelit”.