Kliçko: David Hej mund t’i shmanget sfidës
Vladimir Kliçko druhet se David Hej mund t'i shmanget edhe njëherë përballjes me të. Dueli për unifikimin e titujve në peshën e rëndë mes ukrainasit Kliçko (zotërues i titujve IBF, ËBO dhe IBO) dhe britanikut Hej (zotërues i titullit ËBA) duhet të zhvillohet më 2 korrik në Hamburg. Mirëpo, Kliçko kujton se edhe dy vite më parë ishte arritur marrëveshja për një duel, mirëpo Hej ishte larguar nga përballja në çastet e fundit për shkak të një dëmtimi të shpinës. Më pas Hej kishte synuar të boksonte me vëllanë e Vladimirit, Vitali Kliçko, në shtator të vitit 2009, mirëpo nuk u arrit marrëveshja.
"Unë do të jem i sigurt që do të ndeshem vetëm kur ta shoh atë në këndin e tij të ringut më 2 korrik. Për fat të mirë unë do të ngjitem i dyti në ring dhe aty do të kem rastin ta shoh", ka thënë Kliçko, shkruajnë mediat gjermane. Edhe përballja më 2 korrik ishte gati të anulohej për shkak të disa detajeve. "Vladimiri më ka thënë se nëse nuk futet në ring i dyti, atëherë do të dështojë marrëveshja. Unë i kam propozuar që kjo të vendoset me hedhjen e monedhës, mirëpo ai ka refuzuar. Unë kam vendosur t'ia plotësoj këtë dëshirë", ka thënë Hej. Tradicionalisht, në boks kampioni futet në ring i dyti. Mirëpo, në luftë për unifikim të titujve duhet të arrihet një marrëveshje. Hej dhe Vladimir Kliçko, nuk e kanë parashikuar një klauzolë për një rimeç në kontratë. Kliçko ka premtuar se Hej do të jetë boksieri i 50-të që do ta hedhë KO në karrierë. "Unë kam hedhur KO 49 boksierë dhe Hej do të jetë i 50-ti në listën time", ka thënë Kliçko.