E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtare: Gallatasaraji nxjerr në shitje Canën

Lorik Cana është zyrtarisht në shitje. Këtë e ka konfirmuar Drejtori sportiv i klubit të Gallatasarajit, Cer Ergun. I intervistuar nga radio “Mana”, drejtuesi i lartë i klubit nga Stambolli ka thënë se Loriku është një lojtar i shkëlqyer dhe do ta lironim shqiptarin vetëm në rast të një oferte joshëse. “Deri tani nuk ka pasur asnjë ofertë konkrete për Canën, madje as nga Lacio. Sigurisht, jemi në dijeni të një interesimi të hershëm të Lacios dhe të Fulhamit, por nuk ka pasur ndonjë kontakt dhe aq më pak ndonjë ofertë konkrete nga këto klube. Cana është një futbollist i shkëlqyer dhe do të pranonim ta lironim në rast të një oferte të levërdishme për ne, në të kundërtën ai do të qëndrojë këtu”, ka thënë Ergun. Gallatasaraji kërkon 6 milionë euro për Canën, shumë kjo që tani për tani, sipas mediave italiane, e ofron vetëm Fulhami, pasi Lacio ofron vetëm 4 deri në 5 milionë euro. Skuadra, e cila për momentin pozicionohet në vendin e 7-të në Bundesligën gjermane, Hamburg ka ndërhyrë për të bërë të vetin 28-vjeçarin e Gallatasarajit. Siç transmeton Indeksonline, klubi gjerman është i stimuluar edhe nga tifozët, të cilët e pëlqejnë shumë lojtarin shqiptar. “Dëshirojmë të blejmë Lorik Canën në merkaton e kësaj vere”, ka garantuar dje drejtori teknik i Hamburgut, Shmidt. Gjermanët dëshirojnë të përforcojnë ekipin për sezonin tjetër për sa i përket rezistencës fizike dhe Cana, i njohur si një “luftëtar”, do të kontribuonte pozitivisht në këtë ekip. Megjithatë, ëndrra e tifozëve kuqezi është ta shohin kapitenin e ardhshëm të kombëtares te Lacio.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›