E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Klientelizmi dhe servilizmi, do na lënë përsëri në opozitë”

06-11-2011 / Gazeta 55

Arben Malaj

Anëtari i kryesisë dhe njëherazi deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj kritikoi dje nga Kongresi formulën e Ramës për të shtypur mendimin ndryshe në PS dhe asgjësuar lirinë politike.
Sipas Malajt, nga Kongresi duhet ngritur alarmi, se mungesa e lirisë dhe mos respektimi i vlerave demokratike, vonon arritjet historike si dhe ashpërson ngërçin politik, impakti i të cilit është direkt mbi shoqërinë shqiptare.
“Ky kongres është mundësia më e mire, me e drejtpërdrejtë dhe më transparente për të ndarë edhe me opinionin e gjerë publik sfidat tona. Partia Socialiste ka misionin historik të realizojë sa më parë rotacionin politik, vendi duhet të fitojë kohën e humbur për të bërë reformat e mëdha që të përmirësojnë cilësisht qeverisjen për t’u garantuar shqiptarëve liritë e pakufizuara për një jetë më të mirë. Liria është në themel të çdo arritjeje historike. Garantimi, zgjerimi dhe përmirësimi i lirive tona janë çelësi i suksesit. Liria e fjalës, liria e votës, liria e pronës, liria nga korrupsioni, nga klientelizmi, nga mediokriteti, liria nga kapja e shtetit, nga kapja e partive politike, janë kolonat kryesore të demokracisë që dëshirojnë e meritojnë të gjithë shqiptarët. Sot është momenti që publikisht dhe pa hezitim t’u kërkojmë juve ndjese që me ngërçet tona politike po ua bëjmë me të vështirë te tashmen dhe të ardhmen. Është momenti t’iu kërkojmë ndjesë publike që dështuam në mënyrë të përsëritur drejt derës së hapur të BE-së”, u shpreh Malaj.
Duke fajësuar grupin parlamentar të Partisë Socialiste, për mos realizimin e detyrimeve të Brukselit, Malaj tha se kostot shkojnë për qytetarin.
Malaj kërkoi trajtim serioz dhe të drejtë për kontribuuesit e PS ndër vite, ndërsa deklaroi se pa luftuar klientelizmin dhe servilizmin, Partia Socialiste rrezikon të mbetet gjatë, jashtë votës së shqiptarëve për ta sjellë në pushtet.
“Këto avantazhe potenciale mund të rriten dhe të kthehen në një sinergji fituese nëse njihen më mirë, nëse vlerësohen më mirë, nëse motivohen më mirë, nëse mbështeten më mirë, duke u bazuar në vlerat më të mira njerëzore, duke u bazuar tek përkushtimi dhe meritokracia e gjithsecilit. Këto avantazhe potenciale, veniten, zvogëlohen, bëhen pasive, nëqoftëse vendin e meritokracisë e zë klientelizmi, nëqoftëse vendin e përkushtimit e zë servilizmi. Organizimi dhe drejtimi i PS ka nevojë për vëmendjen ndaj anëtareve dhe mbështetësve të saj, ka nevojë për respekt të përhershëm njerëzorë, ka nevojë për inspirim dhe promovim të gjithsecilit sipas meritës dhe jo sipas preferencave personale”, theksoi Malaj.
 Ai i kujtoi Ramës se që nga 2005-a, PS ka luftuar strukturat e saj si dhe ka përjashtuar figura të rëndësishme nga radhët e veta.
Ai kërkoi gjithashtu që PS të ushtrojë përgjegjësitë e saj kushtetuese, të marrë pjesë aktivisht në Kuvend, se ka përgjegjësi përpara gjithë shqiptarëve për të krijuar shtetin e institucioneve të forta, e jo shtetin e individëve të fortë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›