Klik Ekspo Group, sjell teknologjinë e fundit të impianteve të pastrimit
Ambienti dhe mbrojtja e mjedisit kanë qenë kryefjala në Edicionin e 18-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës. Shoqëria ‘Klik Ekspo Group’, duke parë kërkesat e kohës dhe nevojën për një ambient më të pastër e të shëndetshëm, ka inkurajuar ardhjen në Tiranë të projekteve, kompanive apo ideve që kanë të bëjnë me mbrojtjen me mjedisit. Ky orientim dhe dhënia e përparësive në këtë panair nuk janë rastësore, pasi në shumë vende të Europës dhe botës çështjet e mjedisit trajtimit të mbetjeve, riciklimit apo pastrimit të ujërave e ajrit janë parësore. Drejtuesit e ‘Klik Ekspo Group’ kanë sjellë në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës disa nga kompanitë më të njohura në ndërtimin e impianteve që pastrojnë mbetjet dhe mbrojnë mjedisin. Një prej prodhuesve më të mëdhenj të impianteve të trajtimit të ujërave, dherave dhe ajrit e ka vlerësuar maksimalisht mundësinë e dhënë nga ‘Klik Ekspo Group’, dhe mbi të gjitha ka pasur sukses në interesin që kanë shfaqur qytetarët dhe bizneset për shërbimet e tij. Kompania greke, ‘Euro Construction Company Albania’ është prej disa muajsh në Shqipëri, ku bashkëpunon me një prej prodhuesve më të mëdhenj të pijeve freskuese. Me anë të një impianti modern, ‘Euro Construction Company Albania’ kryen një trajtim të plotë të ujërave të ndotura, duke e kthyer atë në tërësisht të pastër. Drejtuesi i kësaj kompanie thotë se ambienti duhet mbrojtur, por shumë projekte mund të ndeshin në vështirësi për shkak të disa problemeve që ka Shqipëria. “Ne ofrojmë specialistë, pajisje dhe dije për ambientin. Bëjmë ndërtime të mëdha, jo vetëm për kompani private, por edhe për llogari të qeverive të ndryshme. Për sa i përket Shqipërisë, këtu ka shumë për të bërë, por duhet nisur me sensibilizimin e qytetarëve dhe institucioneve, pasi çështjet e mjedisit janë shumë të ndjeshme dhe me ndikim në jetët tona”, - thotë Panos Kostis, drejtori i ‘Euro Construction Company Albania’.