Vreshta, fermerët dyfishojnë sipërfaqet e mbjella
Dy vitet e fundit, një ndër sektorët e bujqësisë që ka filluar të ripërtërihet është vreshtaria, për të cilën qindra fermerë kanë filluar të investojnë, duke ngritur parcela të reja me hardhi të varieteteve të ndryshme. Sipas një studimi të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, rreth 53% e familjeve fermere janë të angazhuara totalisht në punët e vreshtarisë. Ndryshimi i strukturës së mbjelljeve me më shumë sipërfaqe me vreshta, sipas specialistëve, ka sjellë dhe rritjen e të ardhurave të fermerëve. Për vitin 2008, sipërfaqja e mbjellë me vreshta është dyfishuar, duke e rritur me rreth 870 hektarë sipërfaqen e përgjithshme të mbjellë me këtë kulturë që arrin në 9824 hektarë. Përpara viteve '90 vreshtaria zinte një vend kryesor në prodhimin bujqësor shtetëror, por zvarritjet burokratike të ndarjes se tokave ndikuan që mijëra hektarë me vreshta gjatë viteve të tranzicionit të shkatërrohen. Ndërkohë që industria e verës, pjesa më e madhe e të cilës është privatizuar, mbeti pa lëndë të parë. Aktualisht, zhvillimi i vreshtarisë dhe industrisë së verës po nxitet nga strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe në zona të ndryshme të vendit, që kanë pasur traditë kultivimin e vreshtave, janë zgjeruar sipërfaqet e mbjella. Në shkallë vendi funksionojnë 58 fabrika të pijeve alkoolike, 55 të prodhimit të birrës dhe 22 të prodhimit të verës, të shpërndara në gjithë vendin, por më kryesoret në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë, Fier etj. dhe që janë një bazë e mirë për t'i paraprirë zhvillimit të mëtejshëm të këtij sektori.