E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompanitë greke promovohen në Panairin e Tiranës

Panairi i parë i kompanive greke në Shqipëri është çelur dje në mbrëmje në Tiranë. Ky panair organizohet nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë e Industrisë të Shqipërisë dhe Dhoma Helenike e Tregtisë dhe Industrisë; panairi mbështetet gjithashtu nga Ambasada e Republikës së Greqisë në Shqipëri, (Zyra për Çështjet Ekonomike dhe Tregtare).

Në këtë panair, që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, do të ekspozojnë produktet, si dhe programet e tyre rreth 40 kompani e biznese nga Greqia, si dhe një numër i konsiderueshëm kompanish joint-venture greko-shqiptare. Disa nga fushat, ku veprojnë subjektet pjesëmarrëse në këto aktivitete janë: bankat, investimet, prodhimet industriale dhe ushqimore, bujqësia, turizmi, shërbimet, artizanati. Gjatë ditëve të panairit, organizatorët kanë parashikuar të zhvillojnë edhe konferenca shtypi, seminare për problematikat e doganave, tatimeve, për ligjin dhe praktikat e koncesioneve, si dhe rreth mundësive për të investuar në vendin tonë. Do të ketë gjithashtu edhe promovime të bizneseve e produkteve më të reja; kështu, i mirënjohuri “Harri Lena Group” pritet të prezantojë në këtë panair prodhimin më të ri të BMW X6. Ky edicioni i parë i këtij panairi, është produkt i bashkëpunimit midis Bashkimit të Dhomave të Tregtisë e Industrisë të Shqipërisë dhe Unionit të Dhomave Helenike të Tregtisë; panairi është projektuar nga drejtuesit e këtyre dy institucioneve, Ilir Zhilla dhe George Kasimatis, në përpjekje për t’i dhënë një shtytje të re bashkëpunimit ekonomik dhe institucional midis dy vendeve. Greqia është një nga partnerët kryesorë të Shqipërisë për sa iu takon shkëmbimeve tregtare; rreth 17 % e importeve dhe rreth 10.5 % e eksporteve shqiptare zhvillohen pikërisht me fqinjin helen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›