"Forumi Ekonomik i Vjenës" mblidhet në Tiranë
Agjencia e investimeve të huaja, (Albinvest), do të organizojë për herë të parë në Tiranë "Forumin Ekonomik të Vjenës" (FEV). Sipas burimeve të Albinvestit, ky forum do të zhvillohet në datat 8-9 qershor 2008, dhe bëhet nën kujdesin e Kryeministrit, Sali Berisha. Takimi në Tiranë i "Forumit Ekonomik të Vjenës", me president, ish-koordinatorin e Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, konsiderohet si një mundësi e mirë për t'u takuar dhe zgjuar interesin publik dhe privat për rajonin. Anëtarë të Forumit Ekonomik të Vjenës janë investitorë të cilët janë të interesuar me kontaktimin me vendimmarrësit shqiptarë, me synim realizimin e projekteve në Shqipëri. Në Forum do të marrin pjesë përfaqësues të kompanive të mëdha të Austrisë dhe vendeve të rajonit të Detit të Zi, nga Shqipëria dhe vende të tjera. Ministra të sektorëve ekonomikë në qeverinë shqiptare do të marrin pjesë në seancat gjatë punimeve dyditore të Forumit. "Albinvest" shpreson se me anë të këtij takimi, Forumi do të mund të mbështesë më tej Shqipërinë në fushën e investimeve të huaja, përmes bashkëpunimit me firma shqiptare dhe ndërkombëtare.