E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Epirit nuk janë ardhacakë në trojet e sotme

Vështrim mbi librin e fundit dhe tezat e prof.dr.Shaban Demiraj

(vijon nga dje)

Prof.dr.Rami Memushaj
Si një provë tjetër se banorët e Epirit nuk janë ardhacakë në trojet ku gjenden sot, autori sjell mënyrën se si emrat grekë të qyteteve Aulon, Oricum, Hadrianopolis kanë përfunduar në Vlorë, Orik, Dropull, njëlloj si emrat Durrës, Lezhë etj. në trevat veriore të shqipes. Edhe në këto raste, ndryshimet tingullore të këtyre fjalëve dëshmojnë se ato kanë kaluar brez pas brezi në gojën e shqiptarëve. Përndryshe, po të kishin qenë grekë banorët e këtyre qyteteve, nuk do të kishim rotacizim të n-së te Vlorë dhe as d te Dropull, po dh si në shqiptimin grek Dhropolis të kësaj fjale etj. Në përfundim të shqyrtimit të fakteve historike e gjuhësore të periudhës ilire, mosromanizmin dhe mossllavizimin e ilirëve, të paktën në trojet ku janë shqiptarët sot, në një kohë kur popuj të Ballkanit që u pushtuan nga romakët më vonë se ilirët, si p.sh. trakët dhe dakët, u asimiluan, autori e quan “një nga të papriturat e historisë”. Faktin që “një pjesë e mirë e popullsisë së trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve mundi t’i rezistonte procesit të romanizmit dhe më pas të sllavizimit, që përfshiu pjesën më të madhe të Gadishullit Ballkanik” (f. 150), ai e shpjegon me karakterin tepër konservues të etnosit arbëresh, me sistemin primitiv të jetës në vise kryesisht malore, në bashkësi të mbyllura e me rrugë të pakta komunikimi, dhe me pozicionin gjeografik të trevave të banuara prej tyre, që ishte larg vëmendjes së Perandorisë Romake, e cila i kishte dhënë më shumë rëndësi ruajtjes së kufijve nga dyndjet e fiseve barbare në kufijtë skajorë të saj, siç ishte në Ballkan vija kufitare e Danubit. Edhe me ndarjen e Perandorisë, trojet shqiptare mbetën në skajin perëndimor të Perandorisë së Bizantit, që për këtë arsye e pati të vështirë t’i sundonte arbrit. Për gjendjen etnike të Epirit dhe gjuhën e banorëve të tij pas pushtimit osman, autori u referohet të dhënave onomastike të defterëve osmanë të shek XV–XVI për vendbanimet skajore shqiptare të Epirit, si Arta e Janina të Molosisë së lashtë, Preveza, Ajdonati (Paramithia) e Mazraku në Çamëri (1551 dhe 1583), Dropulli (1519–20), Vurgu (1431–32), Himara (1583) dhe Narta e Vlorës (1583). Në listat e kryefamiljarëve të këtyre defterëve gjenden, së pari, emra të përveçëm e llagape që vijnë prej emrash të përgjithshëm shqip, si Babi, Bardhi, Çuni, Bukëvala, Buzi, Buzëmadhi, Dreri, Lakra, Lula, Prifti, Prushi, Zoto etj. Së dyti, në këta defterë gjenden një numër i madh emrash e llagapesh, që ndonëse me prejardhje të huaj, në gojën e shqiptarëve kanë përfunduar në të njëjtën trajtë si në jug edhe në veri të vendit, si Gjon, Gjokë, Gjin, Lekë, Pal, Pjetër, Dhimë, Kolë, Kond, Ndre etj. Të dyja kategoritë e këtyre emrave janë një dëshmi e pakundërshtueshme se këto troje kanë qenë të banuara nga shqiptarë. Por në çdo rast autori nuk lë pa vënë në dukje edhe se, krahas trajtave shqipe të emrave të grupit të dytë, në defterët osmanë shfaqen me një denduri që me kalimin e shekujve vjen duke u rritur, edhe trajtat greke, gjë që e merr si një dëshmi të shtimit të ndikimit grek në trevat e Jugut. Një vend jo i vogël i lihet në këtë vepër çështjes së tri fshatrave greqishtfolëse në një trevë etnike shqiptare, siç është zona e Himarës. Duke u mbështetur në të dhënat e regjistrave osmanë, në dëshmitë e murgjve bazilianë që vepruan në shek. XVI–XVIII në këtë krahinë, sidomos të atyre me prejardhje greke, në doket dhe zakonet e himarjotëve, si dhe në veçoritë e së folmes së Himarës, autori arrin në përfundimin se gjuha amtare e banorëve të këtyre tri fshatrave është shqipja, ndërsa greqishtja është gjuhë e fituar falë kontakteve ekonomike e tregtare me grekët, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Greqisë, dhe ndikimit të madh të kishës të shkollës greke tre shekujt e fundit. Sidoqoftë, ai thekson nevojën për studimin e greqishtes së këtyre fshatrave për të përcaktuar lidhjet e saj në ndarjen dialektore të greqishtes, gjë që do të ndihmonte në sqarimin më të plotë të këtij problemi. Si argument tjetër për shqipen si gjuhë rrënjëse e krahinës së Himarës, autori sjell faktin që e folmja e fshatrave të kësaj treve nuk është tjetër veçse një degëzim i nëndialektit lab. Sipas tij, veçoritë e njëjta të të folmeve të bregdetit himarjot me ato të viseve të brendshme të Labërisë mund të shpjegohen vetëm me atë që tipare të njëjta dialektore mund të ndodhin vetëm kur banorët janë vendës dhe në kontakte të pandërprera me njëri-tjetrin. Një dëshirë e hershme e autorit pat qenë të shkruante për mesapët, popullsi e lashtë e Italisë së Jugut. Ndonëse nuk mundi ta bënte këtë në një punim të gjerë – të mos harrojmë moshën e thyer të tij – prapëseprapë mesapëve dhe mesapishtes ai u kushton në këtë vepër një hapësirë prej shtatë faqesh. Pasi shqyrton tezat pro dhe kundër prejardhjes ilire të mesapëve dhe lidhjeve mes mesapishtes e ilirishtes, ai ndalet në analizën e disa të dhënave gjuhësore Përkundër shumë autorësh që i shohin mesapishten dhe ilirishten si gjuhë kentum (ku grykorja k e gjuhës mëmë indoeuropiane ruhet) dhe të ndryshme nga shqipja, që është gjuhë satem (grykorja k ka dhënë një bashkëtingëllore më të përparme), autori mendon se të tria gjuhët janë satem. Përveç kësaj, mesapishtja dhe shqipja kanë të përbashkëta dukuri gjuhësore e njësi leksikore. I tillë është pasyrimi në a i një zanoreje o të shkurtër indoeuropiane (mesap. ta noman, ta dentan – shqip ata djathë), mbaresa n e rasës kallëzore (mesap. Ana-n, Aprodita-n, enna-n dhe shqip Anë-n etj.), fjalë si bilio/bilia “bir/bijë (bilë)” etj. Pra, sipas tij, krahasimi i fakteve gjuhësore provon se mesapishtja ka lidhje me ilirishten dhe shqipen. Autori nuk është kategorik në pohimet e tij. Gjykimi i tij është objektiv, i zhveshur nga notat e patriotizmit apo nga pasioni i një fillestari në shkencë, gjë që i bën më të besueshme dhe më të qëndrueshme përfundimet. Kjo mënyrë të shkruari jo si monolog me vetveten, po si dialog, nënkupton edhe praninë e kundërshtarit, por ky duhet të mendohet mirë para se të përgjigjet. Kështu, gjatë gjithë veprës, kur arrin në përfundime të caktuara, autori ngre hipoteza që bien në kundërshtim të hapur me të vërtetat e njohura dhe me bindjen e tij, duke lëshuar pe deri atje sa të supozojë edhe të pamundshmen, por më në fund kërkon që këto hipoteza të vërtetohen. Duke e lexuar veprën, në fillim të krijohet përshtypja se ka përsëritje, sidomos në pjesët ku emrat e përveçëm të krishterë rimerren për çdo zonë në shqyrtim. Mund të kishte edhe një qasje tjetër, ku secili nga këta emra të merrej vetëm një herë duke dhënë shtrirjen e tij në secilën nga trevat. Por një paraqitje si kjo që është bërë këtu, ka të mirën se jo vetëm i vë më në pah gjërat, si afritë dhe dallimet, por edhe lejon që të jepet një inventar i plotë njësish për secilën krahinë. Duke përfunduar këto radhë, nuk na mbetet tjetër veçse t’i urojmë profesor Shaban Demirajt jetë të gjatë, mendje të kthjellët dhe penë të lehtë. Kurse lexuesit i këshillojmë ta lexojnë këtë vepër, pasi në të do të gjejnë përgjigje për mjaft pyetje e enigma, por edhe do të shohin se gjuhësia nuk mbështetet në fantazi, se analizat e saj u ngjajnë ekuacioneve të matematikës dhe pikërisht për këtë arsye janë të besueshme. Libri është shkruar me një gjuhë të thjeshtë, pa shumë terma gjuhësorë dhe hollësi të panevojshme, gjuha e tij është e thjeshtë dhe stili i rrjedhshëm, cilësi që e bëjnë të kapshëm edhe për atë që nuk është specialist i gjuhësisë.

Prof. dr. Rami Memushaj

3 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›