E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdorimi i tretë i bashkëpunëtorëve të sigurimit

Mark Marku 

Nuk e di pse kam një parandjenjë se edhe këtë radhë nuk do të kemi një ligj për hapjen e dosjeve. Pavarësisht ngutjes së zonjës Topalli, pavarësisht projektligjit të përgatitur nga zoti Ndoka, pavarësisht variantit të Partisë Socialiste, pavarësisht yshtjes që i bën politikës shqiptare Këshilli i Evropës nëpërmjet përfaqësuesit shqiptar zotit Biberaj, edhe këtë radhë bashkëpunëtorët do të mbeten prapë bashkëpunëtorë, d.m.th. ata do mbeten të kamufluar pas njerëzve të zakonshëm, pas politikanëve, deputetëve, shkencëtarëve, pas njerëzve të të gjitha profesioneve, pas njerëzve tanë të afërm dhe të largët, të zakonshëm dhe të pazakonshëm Prania e tyre ambigue do të vazhdojë me sa duket edhe për pak kohë të na shqetësojë dhe diskutimi i radhës për hapjen e dosjeve ka të ngjarë të jetë një farsë e orkestruar politike. Sepse kështu ka qenë përherë.
Nuk kemi arsye pse të mendojmë ndryshe. Në fakt, gjithë historia e Shqipërisë komuniste dhe postkomuniste ka qenë një histori me spiunë. Me spiunë të vërtetë e të sajuar, të shpallur e të pashpallur, me spiunë që komandojnë e komandohen, me spiunë që kanë bërë viktima dhe janë viktimizuar, me spiunë të brendshëm e të jashtëm, një soj romani i vazhdueshëm i tipit E fshehta e paketës porti, apo romaneve të tjera të realizmit socialist.
Megjithatë ata vazhdojnë të përdoren. Ky është përdorimi i tretë i madh i tyre. Për herë të parë janë përdorur nga regjimi i Enver Hoxhës. Me metoda shtrënguese apo vullnetarisht, bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit kanë qenë kontingjenti që ka mbajtur në këmbë gjithë ngrehinën e diktaturës. Nëse diktatura komuniste zgjati aq gjatë, kjo ndodhi edhe falë tyre. Nëse kjo diktaturë ishte aq e egër, kjo ndodhi edhe për meritë të tyre. Nëse ajo ishte aq perverse, kjo ndodhi sepse mbahej në këmbë prej atyre farë krijesash njerëzore të quajtur sigurimsa.
Përdorimi i dytë i madh i tyre ndodhi pikërisht në periudhën e demokracisë. Janë ata që u përdorën për shndërrimin e butë të diktuarës në demokraturë. Regjimi që po binte e konservoi dhe e rilindi veten brenda sistemit demokratik pikërisht nëpërmjet spiunëve. Partia e Punës i nxori një pjesë të tyre nga dosjet e sigurimit dhe i hodhi në skenën politike. Partitë politike të pluralizmit dhe parlamenti ishte i mbushur aq shumë me ta, sa p.sh. në parlament nuk mund të miratohej një ligj, sepse spiunët përbënin shumicën dhe ligji rrezikonte të mos miratohej. Por, në fakt, as nuk ekzistonte ndonjë vullnet politik për ta bërë një gjë të tillë. Se të bëje një gjë të tillë do të thoshte të ndaheshe nga komunizmi. E kush e donte një gjë të tillë? Udhëheqësit e partive të atëhershme politike që ishin të gjithë komunistë? Të persekutuarit politikë që vazhdonin të ishin në burg edhe pas shpalljes së pluralizmit dhe që një pjesë e tyre ishin shndërruar në kontingjent të sigurimit të shtetit? Studentët e papërvojë? Askush. Për këtë arsye ata vazhduan të mbijetonin. Spastrimi që PD-ja bëri në vitin 1995 kur bëri zgjedhjet në parti, nuk ishte proces për purifikimin e partisë nga spiunët, por një mënyrë për të larë hesapet me individë dhe korente politike brenda PD-së, që kishin krijuar përplasje me lidershipin e saj.
Edhe me PS-në ky përdorim vazhdoi pa ndonjë ndryshim të madh. Këtë periudhë funksiononte edhe një komision për verifikimin e pastërtisë së figurave politike i krijuar nga zoti Bezhani. Gjithë ky proces rezultoi në shndërrimin e zotit Bezhani në autor të një libri, ku herë me aludime e herë në mënyrë të drejtpërdrejtë zbulohej një pjesë e atij llumi që fshihnin në vetvete dosjet e sigurimit të shtetit. Edhe legjislatura e re e PD-së në vitin 2005 nuk solli ndonjë gjë të re në këtë drejtim. Sipas atyre që janë publikuar në gazeta, nëse do të hapeshin dosjet mund të binin disa ministra dhe disa personalitete të larta politike të maxhorancës dhe minorancës. Kjo nuk ndodhi dhe ndoshta as nuk do të ndodhë. Sepse politika ka nevojë për bashkëpunëtorët e sigurimit.
Përdorimi i tretë i madh duket tani. Duke hapur çështjen e dosjeve largohet vëmendja jo nga ndonjë gjë që ka ndodhur siç thotë opozita, por nga diçka që pritet të ndodhë. Të shohim se ç’do të ndodhë. Por ta mbulosh të vërtetën me sigurimsa do të ishte si ta mbuloje diellin me shoshë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›