Klinikat dentare, kushte të reja për të mbajtur aktivitetin
Një vendim i ri i marrë nga Drejtoria e Licencave, por edhe nga sektori i stomatologjisë do të sjellë më shumë procedura për t’u plotësuar dhe më shumë kritere për t’u zbatuar nga të gjithë ata që duan të hapin një klinikë dentare. Qendrat e stomatologjisë, që shpeshherë janë në pallate, apartamente të vogla, apo sipërfaqe të sajuara duhet të mendojnë seriozisht se si të përmirësojnë kushtet në rast se do të duan ta vazhdojnë më tej aktivitetin e tyre private, në dhënien e kujdesit dentar. Por për të gjitha klinikat e reja, si dhe për ato të vjetrat do të ketë kohë në dispozicion për të marrë të gjitha masat, deri në vijimin e kontrolleve të radhës nga ana e inspektorëve të sektorit të stomatologjisë.
Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë është marrë pas disa kontrolleve të ushtruara, jo vetëm në Tiranë, por edhe në disa rrethe të vendit, ku janë vërejtur një sërë shkeljesh higjieno- sanitare, si dhe mangësi të dokumentacionit. Dokumentacioni, licenca, kualifikimi i plotë i stomatologut, si dhe higjiena, janë kushtet kryesore që duhet të përmbushin klinikat stomatologjike për të vazhduar aktivitetin. Ndërkohë që rregullat e reja kërkojnë domosdoshmërinë e afishimit të çmimeve, për çdo shërbim të ofruar. Një tjetër rregull është edhe zbatimi i hapësirës, i cili duhet të jetë mbi 22 metra katrorë, si dhe është e patolerueshme që dentisti të punojë pa syze, doreza apo vetë klinika të mos jetë e pajisur me autoklavë. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar zyrtarisht se do të ketë vështirësi në procedurat e marrjes së licencës për të hapur një klinikë dentare. Sipas sektorit të politikave mjekësore është diskutuar vendosja e një sërë kushtesh të rëndësishme, në kurriz të të interesuarve për hapjen e një klinike private dentare.
Këto masa duhet të jenë të zbatueshme në çdo rreth të vendit dhe nga kushdo.