Taksa e reklamave, jo më monopol
Këshilli Konsultativ i Biznesit, nën drejtimin e ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, diskutoi ndryshimet në ligjin “Për sistemin e taksave vendore”, që prekin taksat e tabelave të reklamimit. Sipas ministrit, ndryshimi i propozuar në projektligj ka të bëjë me tarifat që paguhen për tabelat e reklamave, kryesisht për tabelat që janë mbi 12 metër katrorë, për të cilat aktualisht çmimi nuk paguhet për çdo metër katror nëse tabela i kalon 12 metër katrorë. Prifti theksoi se, e rëndësishme është që të hartohet një ligj, i cili të mos ndikojë në krijimin e pozitave monopol në treg, që të jetë sa më i ndershëm për të gjithë konkurrentët, që mënyra e hyrjes në treg të jetë sa më e thjeshtë për të gjithë dhe të jenë të gjithë në një start të barabartë e në pozita të barabarta. Mbledhja e Këshillit Konsultativ të Biznesit vijoi me sugjerimet dhe vërejtjet e anëtarëve të pranishëm. Sipas Konfindustrisë, taksat për “tabelat reklamuese” në përgjithësi duhet të kalojnë në nivelin e vitit 2008, duke u ulur 4.5 herë. “Për Tiranën 10.000 lekë/m2 në vit dhe 15.000 lekë/m2 në vit, kurse për qytetet e tjera dhe komunat 5.000 lekë/m2 në vit”, tha Gjergj Buxhuku.
#