E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benzi përplaset me furgonin, shtatë të plagosur

 

Aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit mes furgonit që transportonte punëtorë dhe makinës private

SHKODËR- Shtatë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti automobilistik të ndodhur mëngjesin e djeshëm në rrethin e Shkodrës. Në aksin rrugor Shkodër-Grudë, tek vendi i quajtur Stom Golem, janë përplasur dy automjete që lëviznin në drejtime të kundërta. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mjeti tip Benz 240, me ngjyrë të bardhë, me targë SH 7722 C, që drejtohej nga shtetasi Lush Kola, 43-vjeç, nga fshati Temal i Shllakut udhëtonte në drejtim të Grudës. "Ky mjet është përplasur me mjetin tip Fiat Dukato, furgon me targë, SH 8059, që lëvizte drejt Shkodrës dhe drejtohej nga shtetasi Kujtim Suti, 36-vjeç, me banim në fshatin Grudë e Re",- thonë burimet policore. Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar lehtë dy drejtuesit e mjeteve si dhe 5 persona të tjerë që ndodheshin në furgon. Të lënduarit janë Florinda Guraleci, 16-vjeçe; Gonxhe Suti,

38-vjeçe; Shaqe Marku, 29-vjeçe; Gebtian Vathi, 17-vjeç dhe Sandër Ashta 44 vjeç. "të lënduarit janë punëtorë që udhëtojnë çdo ditë nga fshatrat e Shkodrës në drejtim të qytetit ku dhe janë të punësuar në fabrika të ndryshme",- sqarojnë burimet. Pas aksidentit është ndërhyrë dhe të plagosurit janë dërguar në spitalin e Shkodrës, ku kanë marrë ndihmën mjekësore. "Të plagosurit e aksidentit kanë marrë ndihmën mjekësore dhe tashmë janë jashtë rrezikut për jetën",- thonë burimet nga spitali rajonal. Policia ka shoqëruar në ambientet e saj dy drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksidentdhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›