E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, tetë në pranga për trafik klandestinësh

 

Operacioni i nisur katër muaj më parë është finalizuar dje me arrestimin në flagrancë të trafikantëve

FIER- Policia e Fierit ka arrestuar dje tetë persona të akuzuar si pjesëmarrës në një grup kriminal që dërgonte klandestinë në drejtim të Greqisë. Operacioni i koduar "Ura e Kranesë" është zhvilluar njëkohësisht në Fier dhe Vlorë duke bërë që asnjë nga të dyshuarit të mos kishte mundësi të largohej. "Arrestimi i tyre u bë pasi akuzohen për veprën penale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Këta shtetas akuzohen se në periudha të ndryshme kohore kanë organizuar kalimin e paligjshëm të kufirit në drejtim të shtetit Grek të shtetasve shqiptarë, kryesisht nga rrethet Fier dhe Vlorë",- thanë dje burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, operacioni kishte nisur rreth katër muaj më parë. Hetuesit kishin nisur që të mbanin nën mbikëqyrje të gjithë të dyshuarit si dhe të kryenin përgjime telefonike. "Kapja dhe arrestimi në flagrancë i tyre është kryer në fshatin Konispol të rrethit Sarandë pikërisht në çastin kur po tentonin të kalonin kufirin shtetëror në mënyrë të paligjshme në drejtim të shtetit grek të tetë personave. Secili prej klandestinëve kishte paguar nga 800 deri në 1500 euro për të shkuar në Greqi",- thanë hetuesit e çështjes. Sipas tyre, gjatë kapjes së këtyre shtetasve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 10 aparate telefonash celularë, 500 euro, 100.000 lekë dhe katër automjete. Nga hetimet e para të policisë është zbuluar se rruga nga mblidheshin dhe kalonin emigrantët ishte Fier-Vlorë-Sarandë dhe Vlorë-Sarandë-Greqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›