E Diel, 1 Nëntor 2026

Klinsmann është gati

Jurgen Klinsmann ka thënë se synon t’i kthehet detyrës së trajnerit dhe është optimist se do të merr ofertë të mirë pas Kampionatit botëror këtë verë. Ish selektori i Gjermanisë, i cili do të punojë si analist për rrjetin televiziv gjerman RTL në Afrikën e Jugut, ka thënë se është duke pritur një mundësi të mirë.

“Nuk jam i padurueshëm”, tha Klinsmann i cili ishte edhe trajner i Bayern Munichut para se të shkarkohej pak para përfundimit të sezonit 2008-09 në Bundesligë, kur ekipi i tij gjendej në pozitën e tretë në tabelë.

“Përfundimisht do të kthehem si trajner dhe është e mundshme që të vjen ndonjë ofertë sfiduese pas Kampionatit botëror. Kur është pjesë e trupit tuaj, gjithmonë mendoni se si mund të zhvillohet ky ose ajo detyrë”, shtoi ai.

Klinsmann, i cili udhëhoqi Gjermaninë drejt pozitës së tretë në Kampionatin botëror 2006, ka studiuar mjekësinë sportive dhe tema të tjera që i përkasin punës së një trajneri. “Kjo është gjë e mirë sepse keni kohë të zhvilloni aftësi të reja dhe mësoni më tepër”, u shpreh ish sulmuesi gjerman i cili me familjen e tij u kthye në Kaliforni vitin e kaluar.

Klinsmann ka thënë se nuk ishte penduar që mori drejtimin e Bayern Munichut më 2008. “Ishte përvojë e rëndësishme jetësore. Kam mësuar shumë nga ajo përvojë dhe do të më ndihmojë për të ardhmen”, tregoi ai.

Si selektor i Gjermanisë, ai si fillestar u bë hero kombëtar kur udhëhoqi ekipin drejt pozitës së tretë në Kampionatin botëror 2006. Klinsmann mori lëvdata dhe kritika për stilin e lojës sulmuese, angazhimin e trajnerëve kondicionalë, psikologë dhe përfshirjen e futbollistëve të rinj pa përvojë.

Ai theksoi se nuk duhet marrë shumë me humbjen 1-0 të Gjermanisë në ndeshjen miqësore nga Argjentina të mërkurën.

“Nuk është sikur do të ketë ndikim në atë që do të ndodhë pas tre muajve. Do të ketë mjaft kohë që ekipi të përgatitet për Kampionatin botëror. Tani shumë futbollistë janë të lodhur nga Bundesliga dhe Liga e Kampionëve”, u shpreh ai.

Klinsmann ka thënë se Gjermania ka përparësi të madhe që ka shumë futbollistë në të 20-at, të cilët kanë bërë rreth 50 paraqitje me ekipin kombëtar. “Përvoja ka rëndësi të madhe. Përveç kësaj, Gjermania ka qenë gjithmonë ekip i garave të mëdha”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›