E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehem më i fortë

Mesfushori i Arsenalit, Aaron Ramsey është zotuar të kthehet “më i fortë” nga lëndimi i tmerrshëm në këmbë që pësoi kundër Stoke fundjavën e kaluar.

Duke folur për herë të parë rreth lëndimit, 19 vjeçari iu falënderua mesfushorit të Stoke, Glenn Whelan për ndihmën e ofruar në fushë.

Por, ai nuk e përmendi mesfushorin tjetër Ryan Shawcross, ndërhyrja e të cilit ia shkaktoi lëndimin.

“Është vështirë për mua t’i marr parasysh të gjitha në një moment. Mendoja se jam duke punuar mirë, andaj ky është zhgënjim i madh për mua. Është vështirë të përballohet”, tha Ramsey.

Fatmirësisht për uellsianin e talentuar, lëndimi nuk ia rrezikon karrierën.
Mirëpo, në një komunikatë të publikuar nga klubi, ai nuk e përmend Shawcrossin i cili pas incidentit u largua nga fusha duke qarë, ndërsa më pas kontaktoi me Ramseyn për t’i kërkuar falje.

Ndërsa Ramsey nuk i ka caktuar vetes një datë për rikthim pas operacionit në këmbë javën e kaluar, por iu falënderua Whelanit (i cili iu gjend pranë në fushë), stafit mjekësor të Stoke City, Arsenalit për përkrahje dhe tifozëve të klubit. Ai mendon pozitivisht për të ardhmen derisa fillon rikuperimin e tij.

“Jam i ri dhe koha punon për mua. Derisa nevojitet kohë e gjatë që këmba ime të shërohet, jam i vendosur dhe i përkushtuar për tejkalimin e këtij lëndimi dhe shpresoj të kthehem në formë më të mirë fizike dhe më i fuqishëm se më parë. Më kujtohet ajo çfarë ndodhi dhe pas ndërhyrjes e kam parë se më ishte thyer këmba dhe ishte e varur. Kam parë pamjet e përplasjes, por nuk dua të komentoj për ndërhyrjen, pasi nuk mund të paramendoj se çka ndodhi”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›