E Diel, 1 Nëntor 2026

Klinton, Metës: Mbështetje për integrimin

 

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, i ka dërguar dje një mesazh urimi zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta me rastin e marrjes së detyrës. Mesazhi iu dorëzua kreut të diplomacisë shqiptare nga ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhërs pas një takimi mes tyre. “Pas vlerësimit të nivelit të shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA, ambasadori Uidhers i dorëzoi z.Meta mesazhin e urimit të Sekretares së Shtetit, znj. Hilari Klinton, përmes të cilit ajo shpreh mbështetjen e vazhdueshme që SHBA do t’i japë Shqipërisë gjatë procesit të integrimit euroatlantik si dhe thekson angazhimin për thellimin e partneritetit të ngushtë mes SHBA dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e zyrës së Ministrisë së Jashtme. Në letrën dërguar Metës, Sekretarja amerikane e Shtetit premton mbështetjen e SHBA-ve për integrimin euro-atlantik të Shqipërisë, teksa shton se anëtarësimi i vendit tonë në NATO, ishte reflektim ndaj kontributeve të Shqipërisë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe botë. “Ju lutem pranoni urimet e mia të ngrohta me rastin e emërimit tuaj si Ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskryeministër. Pres me kënaqësi të punoj së bashku me Ju për nxitjen e lirisë dhe begatisë në rajonin tuaj dhe në gjithë botën. Ky ka qenë një vit i rëndësishëm për partneritetin tonë. Ishte nder për Shtetet e Bashkuara që bashkë me aleatët e saj të NATO-s mirëpriti Shqipërinë në Aleancë gjatë këtij viti, një reflektim ky ndaj kontributeve pozitive të Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global. Ne ju premtojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme për integrimin euro–atlantik të Shqipërisë”, thuhet në mesazhin e Sekretares amerikane të Shtetit. “Ju uroj sukses të plotë në detyrën tuaj të re dhe pres me kënaqësi të punoj së bashku me Ju, në mbështetje të objektivave  të përbashkëta të të dy vendeve tona për një Evropë Juglindore stabël dhe paqësore, dhe për të çuar më tej sigurinë dhe vlerat demokratike në Shqipëri dhe në mbarë botën. Kam besim se duke realizuar këto objektiva, partneriteti i ngushtë ndërmjet vendeve tona vetëm se do të thellohet”, përfundon mesazhi i zyrtares së lartë të Departamentit të Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›