E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Obama letër Berishës

 

ADI SHKEMBI

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, uron kryeministrin Berisha për rikonfirmimin e tij në këtë pozicion. Kreu i qeverisë shqiptare u takua dje në zyrën e tij në Kryeministri me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhërs, i cili i dorëzoi Kryeministrit Berisha mesazhin e urimit të Presidentit Obama për fitoren në zgjedhjet parlamentare dhe formimin e qeverisë së re. “I dashur Kryeministër, ju lutem pranoni përgëzimet e mia për rikonfirmimin e mandatit tuaj si Kryeministër i Shqipërisë. Pres me padurim të vazhdoj të punoj së bashku me ju për të promovuar lirinë dhe mirëqenien në të gjithë botën”, thuhet në mesazhin e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Obama theksoi gjithashtu se SHBA vlerëson kontributin e Shqipërisë në zgjerimin e paqes në botë. “Për mua ka qenë një nder i madh që së bashku me udhëheqësit e tjerë të vendeve të NATO-s të mirëpresim Shqipërinë dhe Kroacinë si anëtarët më të rinj të Aleancës në samitin e Strasburg-Kehlit, në fillim të këtij viti. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë kontributin e Shqipërisë në shtrirjen e paqes e stabilitetit në botë. Mbetem i angazhuar të vazhdoj bashkëpunimin me ju dhe të përkrah aspiratat euroatlantike të vendit tuaj”, vijon më tej mesazhi i Presidentit Obama. Letra mbyllet me fjalët “Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë lart marrëdhëniet e ngushta e miqësore me Shqipërinë. Jam i bindur se bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm do t’i konsolidojë edhe më tej lidhjet midis dy vendeve tona. I uroj qeverisë suaj dhe juve personalisht sukses të plotë në mandatin e ri qeverisës si Kryeministër”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›