Abuzimet me tenderat,krijohet komisioni i ankesave për biznesin
Komisioni i Ekonomisë ka miratuar dje disa ndryshime në ligjin për ‘Për prokurimin publik’. Sipas këtyre ndryshimeve, çdo ankesë që do të ketë biznesi për tenderët publikë, që zhvillon Agjencia e Prokurimeve do të shqyrtohet pranë një komisioni të posaçëm i cili do të ketë funksionin e një gjykate. Konkretisht Drejtoresha e Agjencisë së Prokurimit Publik, Klodiana Cankja, tha dje se “duke qenë se legjislacioni aktual nuk rregullon prokurimet publike në sektorët e utiliteteve, ndërmarrja e kësaj nisme përbën një hap përpara drejt përafrimit të plotë të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së”. Sipas saj, një ndryshim tjetër i propozuar në këtë projektligj është edhe ngritja e një organi rishikimi kolegjial, i cili do të jetë në varësi të Kryeministrit. “Ky organ që ka në kompetencë rishikimin e ankesave të prokurimeve publike, i merr vendimet në mënyrë kolegjiale, vendime që janë administrativisht përfundimtare”, tha ajo. Ndërkohë kundër vendimeve të komisionit bëhet ankim pranë gjykatës përkatëse. Deri tani ky proces është kryer nga Drejtoria e Ankesave dhe Çështjeve Ligjore për Prokurimet, në Agjencinë e Prokurimit Publik. Pra e thënë ndryshe, vendimet e këtij organi mund të hidhen poshtë vetëm me vendim gjykate. Për ankimimin pranë kësaj strukture, subjekti privat duhet të bëjë edhe një pagesë, vlera e së cilës pritet të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave. Ky organ do të jetë një strukturë me pesë anëtarë, të cilët do të merren me gjykimin e ankimimeve. Në këtë strukturë nuk janë parashikuar që të ketë përfaqësues të komunitetit të biznesit. Prej gati një viti në Shqipëri, prokurimet mund të bëhen në mënyrë elektronike. Sipas zyrtarëve të lartë të qeverisë, me prokurimin elektronik kursehet 30-40 për qind më shumë se sa nga prokurimi i hapur. Agjencia e Prokurimeve Publike shqyrton listën e dokumenteve dhe kërkon vetëm dokumentet kryesorë në procedurat për tenderët. Dokumentet e tjera Agjencia e Prokurimeve i merr nga agjencitë e tjera dhe nuk duhet të jenë kërkesë ndaj atij që merr pjesë në tender.