Topi: Maxhoranca dhe opozita të punojnë për reformën në drejtësi
Presidenti Bamir Topi i ka bërë sërish thirrje maxhorancës dhe opozitës të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për integrimin e Shqipërisë në BE. Në një moment kur dokumenti më i rëndësishëm i Unionit kaloi një prej pengesave më të vështira, votimin e Irlandës, kreu i shtetit apeloi për gjetjen e konsensusit. I pyetur nëse e cenon perspektivën evropiane të vendit një klimë politike ku duken hapur mosmarrëveshjet mes partive politike, në një krah protesta dhe nga ana tjetër një refuzim nga ana e partive politike, kreu i shtetit theksoi se, “natyrisht që marrëdhëniet politike në një vend që frymëzon integrimin janë shumë të rëndësishme. Vendi, sikurse çdo vend tjetër demokratik, ka nevojë për një marrëdhënie institucionale mes maxhorancës dhe opozitës. Vetëkuptohet që thirrja frekuente është për këtë lloj bashkëpunimi, i cili është jetik për të ardhmen e vendit. Ka mjaft çështje, edhe në retrospektivën e afërt, ku përtej mosmarrëveshjeve janë arritur konsensuse të rëndësishme”. Sipas tij ajo që kërkon Evropa është vazhdimi i reformave dhe veçanërisht ajo në sistemin e drejtësisë, e cila kërkon patjetër 84 vota. Megjithatë kreu i shtetit theksoi se me gjithë apelet që ka lëshuar ai për bashkëpunim mes maxhorancës dhe opozitës, janë pikërisht forcat politike që e kanë në dorë arritjen e konsensusit. “Përveçse apelit për bashkëpunim që vjen nga Presidenti, i tërë vullneti për bashkëpunim është i partive politike. Dhe kuptohet në parim që sa më i rëndësishëm të jetë ky bashkëpunim, aq më i lehtë është procesi i integrimit. Pra, për ta ilustruar më tej, ajo që kërkohet nga Evropa e bashkuar është vazhdimi i reformave dhe në mënyrë të veçantë të reformës në fushën e drejtësisë. Patjetër që kërkohet bashkëpunim, jo thjesht politik, por edhe formal për të arritur numrin e nevojshëm të konsensusit për të miratuar reformat e mëdha në drejtësi”, vijoi më tej kreu i shtetit.