E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton: Nobeli, vlerësim i vizionit të Obamës

 

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, tha se çmimi Nobel për Paqen iu dha Presidentit Barak Obama për shkak të “qëndrimit të tij për rolin e Amerikës në botë”. “Vullneti i tij në të vërtetë është një lloj sfide për të gjithë... ai rikthen përmirësimin e imazhit dhe vlerësimin e vendit tonë”, tha Klinton në televizionin NBC. Klinton tha se nuk mendon se fitimi i çmimit do të ketë ndonjë efekt në diskutimet se çfarë do të bëjë tjetër Obama në Afganistan, duke përfshirë edhe pyetjen nëse do të dërgojë një numër të madh të trupave shtesë në një vend ku dhuna është rritur kohët e fundit. “Mendoj se Presidenti do të bëjë çdo vlerësim sipas situatës. Secili prej burrave dhe grave që kanë humbur jetën në atë mision rëndojnë mbi supet tona. Dua t’i garantoj të gjithë se vendimi përfundimtar do të jetë pasojë e një mendimi të gjatë e të thellë”, tha Klinton në intervistën e  marrë gjatë udhëtimit të saj për në Zyrih, ku u nënshkrua marrëveshja Turqi-Armeni. Ajo pranoi se ka përplasje mendimesh nëse duhet bërë një tërheqje e parakohshme apo të ketë shtim forcash. E pyetur tërthorazi mbi akuzat e republikanëve se ajo po përpiqet të ulë influencën e SHBA-së në botë, Klinton i quajti ato absurde. “Unë bëj çdo gjë bashkë me Presidentin për interesin më të mirë të vendit”, theksoi Klinton.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›