Prishtina pranon kritikat: Raporti i KE-së është real
Liderët në Kosovë kanë pranuar si të vërteta të gjitha kritikat në raportin e fundit të progresit, të hartuar nga Komisioni Evropian. Edhe pse përmbajtja e raportit negativ nuk është bërë publike në mënyrë zyrtare, mediat në Kosovë kanë mundur të marrin disa detaje të tij. Politikanët në Prishtinë kanë përshëndetur konstatimin, se Serbia po luan rol destruktiv, duke mbajtur struktura paralele në Kosovë. Ndërsa pika që flet për korrupsion të lartë në Kosovë ka ngritur shqetësim mes tyre. Zv.kryeministri Hajredin Kuçi tha për RTK, se ende nuk e ka lexuar raportin final, por pavarësisht përmbajtjes, ai u zotua se Qeveria e Kosovës do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin si sfida nga përmbajtja e këtij raporti. “Raporti gjithsesi do të jetë më pozitiv sesa vitet e kaluara. Duhet ta kemi të qartë se raporti duhet të matë arritjet tona për integrime evropiane. Secili shtet që nuk ka hyrë në BE, i ka sfidat e veta dhe duhet ta krahasojmë edhe me Kosovën dhe brenda-përbrenda Kosovës dhe me vendet e rajonit, dhe jo vetëm me vendet që tashmë janë në Unionin Evropian”, tha Kuçi. Në raport konstatohet korrupsioni në një shkallë të lartë, mungesa e lirisë së plotë të shprehjes dhe mediave si dhe dukuritë e tjera negative. Komisioni Evropian ka kritikuar edhe Serbinë për strukturat e saj paralele në Kosovë. Përfaqësuesit e komunitetit serb thonë se këto struktura janë të domosdoshme për ekzistencën e tyre në Kosovë. Raporti i progresit i Komisionit Evropian, për herë të parë, konstaton se Serbia po mban institucione paralele në Kosovë dhe se Qeveria e Kosovës nuk e kontrollon tërë territorin e vendit. Po ashtu, aty thuhet se bashkëpunimi i Prishtinës zyrtare me EULEX-in nuk është në përputhje me përkushtimin politik, prandaj kërkohet thellimi i bashkëpunimit, e kritikohen veprimet e lëvizjes “Vetëvendosja” kundër këtij misioni. Raporti inkurajon edhe serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. (RTK)
Krasniqi: Zgjedhjet, test për Kosovën
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka cilësuar zgjedhjet lokale të 15 nëntorit si një test për demokracinë dhe përgjegjshmërinë e njerëzve të politikës. Në një intervistë për BBC-në, ai e cilësoi ofertën e institucioneve të Kosovës për serbët lokalë si një prej ofertave më të mira në rajon për pakicat, ndërsa vlerësoi se Beogradi, me ftesën për mosdalje të serbëve të Kosovës në zgjedhje, po i pengon vetë qytetarët serbë, integrimin dhe mirëqenien e tyre në realitetin e ri të krijuar në Kosovë.