E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ditë me David Cameron

Udhëtimet, takimet me mbështetësit, polemikat me Nick Clegg, liderin liberaldemokrat, që thuajse e ka arritur në sondazhe. Fushata e kandidatit konservator, e parë nga afër Fushata e parë nga afër

çdo mëngjes, para se të dalë nga shtëpia, David Cameron bën vrap, sidomos në këto ditë kur koha është e bukur. Ora është tetë fiks, pikërisht koha kur lideri i konservatorëve del me tuta nga vila e tij në lagjen “North Kensington”. është në humor të mirë për diellin që shkëlqen, por edhe sepse gazetat publikojnë çdo ditë sondazhe në favor të tij: pas debatit të parë televiziv, ku bashkë me Gordon Brown u mundën nga liberaldemokrati Nick Clegg, përballja e dytë televizive shkoi disi më mirë. Shumë komentatorë shkruajnë se lideri i konservatorëve është rikthyer në garë për të marrë “Downing Street N. 10”. Sipas sondazheve, 35 për qind e britanikëve janë në favor të tyre me laburistët dhe liberaldemokratët në shifrat 29-30 për qind e ndoshta më pak. Nuk ka arritur ende atë që Cameron i kishte vendosur vetes në fillim, kur gëzonte një avantazh prej dhjetë pikësh ndaj kundërshtarëve, por prapë nuk është keq. Gjithçka që ndodh këto ditë në prag të zgjedhjeve të 6 majit është shumë e rëndësishme, ashtu siç pritet të jetë përballja e tretë dhe e fundit televizive. I shoqëruar nga tre burra të shërbimit të sigurisë dhe nga disa bashkëpunëtorë, Cameron, 43 vjeç, që me përkëdheli e thërrasin Dave, vrapon për më shumë se gjysmë orë, pastaj kthehet në shtëpi. Pas një dushi të shpejtë dhe një puthje për Nancy dhe Elen, dy vajzat e tij dhe një përqafimi për gruan, Samantha, që pret fëmijën e tretë, në orën 9:15 hipën mbi autobusin e Partisë Konservatore ku është ngjitur slogani zyrtar: “Vote for change”. Ulet në fund dhe teksa me njërën dorë shkruan e-maile, me tjetrën flet gjatë në telefon. Destinacioni është Grays, në Essex, një konte rurale në pjesën lindore të Britanisë së Madhe, rreth 20 minuta larg Londrës. është një zonë elektorale shumë e diskutuar që konservatorët duan ta mbrojnë me çdo kusht. Kandidati i Partisë Konservatore për kryeministër ka vendosur t’i përqendrojë manifestimet publike vetëm në disa zona elektorale të pasigurta: për gjithçka tjetër, shumë televizion dhe internet. Kjo është risia e kësaj fushate elektorale, ndër më të pasigurtat dhe më intrigueset në historinë e Britanisë së Madhe. Kanë ndryshuar kohërat. Tani nuk shkohet më portë më portë, nuk bëhen mitingje madhështore me një numër të madh militantësh, apo nuk dilet përditë nëpër konferenca shtypi. Kësaj here kanë shumë rëndësi përballjet televizive në ekranin e vogël, njëlloj si në Amerikë që vlerësojnë forcën e karakterit, sigurinë, joshjen përmes fjalëve dhe fytyrës. Nick Clegg fitoi përballjen e parë, ndërsa Cameron nuk arriti të bindte, sepse transmetoi pak emocione, siç i ndodh shpesh. Në debatin e dytë foli me më shumë pasion dhe arriti të bënte për vete shumë veta që ishin në mëdyshje, pasi iu nënshtruara një “kure” speciale nga bashkëshortja e tij, Samantha.

George Osborne, një nga miqtë më të ngushtë dhe përgjegjës i fushatës, i sugjeroi që të tregohej i hapur edhe pse gradualisht, ndaj mundësisë për një qeveri në koalicion me liberaldemokratët dhe reformën elektorale që ata kërkojnë. Andy Coulson, “spin-doctor” i komunikimit dhe drejtori i së përjavshmes “News of the World”, i ka rekomanduar një stil më të prerë. Duket që Cameron ka besim sapo zbret nga autobusi në luginën “Palmer’s college”, ku pritet nga një numër i madh aktivistësh, me spila elektorale të vendosura në kraharor. Kandidati për kryeministër mban veshur një këmishë sportive ngjyrë blu, me mëngë të përthyera. Pantallonat janë kadife, me të njëjtën ngjyrë si këmisha. Në këmbë mban një palë këpucë të thjeshta. Edhe pse është një pasardhës i mbretit Uilliam IV, Dave nuk duket aspak snob përpara fansave që e rrethojnë të veshur me bluza bojëqielli. Edukimi elitar në kolegjin e famshëm Eton vihet re menjëherë, por mungon çdo lloj forme intelektualizmi. Pasuria dhe siguria familjare i japin një dozë të mirë pragmatizmi. Gjuha e përdorur nuk është shumë vizionare, por mesazhi është i drejtpërdrejtë: “Kemi nevojë për një fitore të pastër dhe vendimtare që të mund të qeverisim”, tregon ai, duke ngritur si zakonisht gishtin tregues të dorës së majtë. “Përndryshe do të kemi një kryeministër, fryt i marrëveshjeve pas kuintave, që nuk mund të mos jetë as lider i ndonjë prej partive në garë”. Një pakt qeverisës mes Brown dhe Clegg është shumë i mundur. Një zgjidhje kjo e sponsorizuar edhe nga Peter Mendelson, krijuesi i formulës “New labour” që çoi në pushtet në vitin 1997 Blair-in. “Pse kjo është demokracia? Ky është ndryshimi? Ky është progresi?”, pyet Brown teksa pret përgjigjen e publikut. “Jo, jo, jo”, është përgjigjja e militantëve. Pastaj tregon se në rast fitoreje do të ndryshojë ligjin në fuqi, në mënyrë që çdo kryeministër i zgjedhur në mes të legjislaturës të ketë detyrimin për të zhvilluar zgjedhje të reja brenda gjashtë muajve. “Gordon Brown do të kishte tre vjet që do ishte kthyer në shtëpi”, thotë kandidati konservator. Më pas flet edhe për liberaldemokratët që i akuzon se kërkojnë amnisti për 1 milion emigrantët klandestinë. Pasi zbret nga skena e improvizuar, i rrethuar nga militantët, Dave mbyllet në hollin e kolegjit për të folur me drejtorin dhe mësuesit. Një docent i shqetësuar i thotë se nuk i takon qytetarëve të themelojnë dhe administrojë shkollat të vetëm, ashtu siç parashikon programi elektoral i konservatorëve. “I takon qeverisë të bëjë që qytetarët e saj të marrin përgjegjësi më të mëdha”, ishte përgjigjja diplomatike e Cameron. Pastaj flet për nevojën e reduktimit me 10 për qind të numrit të parlamentarëve në Dhomën e Komunave “një nga asambletë legjislative më të mëdha në botë”. Atyre që i thonë se kjo është një masë populiste i përgjigjet duke marrë si shembull gazetarët, që e ndjekin në fushatë: “Shihni se ç’po ndodh në botën e medias. Secili prej tyre në këtë kohë bën më shumë gjëra se në të kaluarën. Shkruajnë dhe transmetojnë, por përdorin edhe blogjet, “Facebook” dhe “Twitter” për të qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me zgjedhësit. Nëse gazetarët arrijnë të bëjnë më shumë gjëra në një numër më të vogël, këtë mund të bëjnë edhe parlamentarët”. Në fund një përgjigje për euroskepticizmin e tij: “E dua Britaninë e Madhe në Europë, por nuk dua të qeverisem nga Europa”. Jashtë, dy nga bashkëpunëtorët e tij, kanë organizuar një skenë shumë familjare për të gjithë. Një çift i prezanton Cameron dy vajzat binjake gjashtëmuajshe të veshura me kostume të bardha, ku shkruhet slogani “It’s time for change”. Kandidati konservatori i sheh dhe i drejtohet prindërve, duke i pyetur se sa qumësht pinë dhe sa panolina përdorin çdo ditë: “Duhen shumë sterlina, apo jo?”, pyet Cameron, që përshëndet familjen me fjalët “Paçi fat”. Një BMW blu e pret e ndezur. Një zëdhënës i ri tregon se takimet e tij të asaj dite përfunduan këtu, sepse Cameron duhet të shkojë në Peasemore, një fshat piktoresk në Berkshire, ku martohet motra më e vogël, Clare. Para se të hipë në makinë i drejtohet gazetarëve: “E dua shumë Clare. është ajo që më njohu me gruan time Samantha në Kalabri, në verën e vitit 1992. Për këtë arsye Italia është një nga vendet që e dua shumë”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›