Drejt përfundimit ujësjellësi i Rrajcës
Ujësjellësi i ri i Komunës së Rrajcës, duket se po shkon drejt përfundimit. Punimet e tij nisën një vit më parë, pasi qeveria akordoi një fond prej 34.8 milionë lekësh, i cili do t’u shërbejë fshatrave të Komunës Rrajcë për ujë të pijshëm dhe për vaditje. Aktualisht ka përfunduar mbulimi i kanalit, shtrirja e tubacioneve kryesore, si edhe ndërtimi i depos së ujit. Ujësjellësi është parashikuar të furnizojë me ujë 15 mijë banorë të kësaj komune si dhe do të vaditen rreth 80 hektarë tokë bujqësore në fushë. Kryetari i komunës, Selaudin Bogdani, ka pohuar se: “fondet për këtë investim mjaft të rëndësishëm janë dhënë nga qeveria dhe ujësjellësi është thuajse në përfundim”. Sipas tij, me këtë investim do të sistemohet rrjedhja e ujit që buron nga tuneli i Qafë-Thanës, që ndër vite nuk ishte i sigurt nga mikrobet dhe uji ishte i ekspozuar, jashtë parametrave të një ujësjellësi. Shqetësimi për ujin e pijshëm është ngritur nga banorët e shtatë fshatrave të kësaj komune prej disa vitesh, ndërkohë që pritet që ky problem të zgjidhet shumë shpejt.
#