Giorgio, mbreti i modës Kjo është jeta ime
“Nuk do ta harroj kurrë, atëherë kur pyeta nënën time nëse ishte e lumtur me suksesin tim. “Po Giorgio, por është pak vonë”, m’u përgjigj. Një fjali e tmerrshme. Ajo nuk kishte pasur kurrë asgjë, nuk kishte udhëtuar dhe atëherë kur mund t’i jepja gjithçka, ishte shumë e moshuar. “Vërtet ishte shumë vonë: këto janë ironitë e jetës”. Giorgio Armani kujton pambarimisht ngjarje nga jeta e tij dhe ndihet shumë mirë mes mureve luksoze të hotelit të parë “Armani” në Dubai, që ndodhet brenda
Burj Khalifa, grataçielës më të lartë në botë. Aty të gjitha mbajnë firmën e tij, nga llambadarët te muret e veshur me mëndafsh, nga sapuni te makina e kafesë. “Por, nuk e ndiej veten në shtëpi, sepse shtëpitë e mia nuk janë kaq luksoze. Megjithatë është e këndshme ndjesia të shohësh 160 dhoma të realizuara pikërisht ashtu siç ti ke dashur gjithmonë. I kisha menduar të tilla pesë vjet më parë, por ja që tani i kam realizuar”. Që Armani është i kënaqur, kuptohet nga shikimet që shkëmben me njerëzit e tij të besuar që e rrethojnë, të cilët vënë në lëvizje një makinë organizative gjigante dhe perfekte. Përurimi i hotelit do të bëhet përmes një ceremonie të pasur dhe të komplikuar që parashikon pjesëmarrjen e 450 të ftuarve nga e gjithë bota.
“Vajza, jeni në Dubai, duhet ta ndjeni veten si diva të paarritshme”, u sugjeron Armani modeleve të ardhura nga Parisi për sfilatën e parë “haute couture” në botën arabe. “U mendova gjatë para se të pranoja. Pastaj thashë se kjo mund të ishte një sfidë e re. Pastaj i shpjegova Mohamed Alabbar, presidentit të Emaar Properties, i cili më propozoi këtë aventurë, që nuk doja të bëja shkallë mermeri, doreza të arta, vazo gjigande mbi tavolina argjendi. Stili im është krejt ndryshe”.
Përse pikërisht një hotel në këtë moment të karrierës suaj?
Mendoj se një hotel është diçka më e qëndrueshme se sa moda. Ai do të ngelet përgjithnjë. Besoj se është mirë të lësh gjurmë në punën tënde, një kujtim se ti ke ekzistuar në tokë. Pastaj dua të më kujtojnë edhe për modën dhe betejat e shumta që kam kaluar në jetë.
Cila ka qenë ajo më e vështira?
Më e vështira ka qenë të kaloja dhimbjen e humbjes së Sergio Galeottit (ortaku dhe miku i tij më i mirë). Ishte një traumë e rëndë, që nuk e kam kaluar ende. Në këto dy vjet sëmundjeje e kam menduar shpesh. Ndërsa në punë, betejat janë të përditshme. Kjo do të thotë që të shtrihesh mbrëmjeve në krevat dhe të mos vësh gjumë në sy, duke menduar: jam duke bërë gjënë e duhur? Personave që u referohem, kanë opinionin e tyre që duhet ta kem parasysh, por që në fund, vendimin e marr vetëm unë. është një barrë e rëndë, që jo rrallë më streson.
Ju është dashur të bashkëjetoni me sëmundjen tuaj. çfarë keni ndjerë: impotencë, dobësi?
Jo, kam ndier krejtësisht të kundërtën. Dola më i fortë prej saj, sepse kisha dëshirë që t’ia dilja mbanë. Sigurisht mendova që ka diçka përtej dëshirës tënde që mund të ndërhyjë në jetët tona. Sëmundja më bëri të mendoj edhe për raportet ndërpersonale dhe sigurisht për njerëzit e dashur që u kushtojmë shumë pak kohë.
Si e kujtoni fëmijërinë?
Ishin vite të vështira, në mes të luftës, pasi flasim për vitet ‘40. Kam jetuar një fëmijëri jo të lumtur, që vinte nga mungesa e diçkaje që unë e kërkoja vazhdimisht. Tani po restauroj shtëpinë në San Trope. E dua në një stil shumë tradicional, si shtëpia që nuk kam pasur kurrë në fëmijërinë time. Më kujtohet se si njëherë më ftoi një shok i klasës të pinim një çaj, që për mua ishte diçka shumë misterioze, pasi në familje nuk i kishim zakone të tilla. Megjithatë, prindërit janë munduar që asgjë të mos më mungonte. Edhe pse ishim të varfër, nëna ime kërkonte me çdo kusht që unë të studioja për violinë. Pastaj në kohën e luftës kërkonte nëpër fshat ushqime të mira për familjen.
Po për babain, çfarë kujtimesh keni?
Punonte shumë, e shihnim vetëm të shtunave. Ishte fjalëpakë, nuk e kujtoj fare në bisedat që bënte me nënën time, por shpesh bëhej edhe shakaxhi. Në familje kemi përjetuar momente shumë të vështira.
Ju jeni një nga njerëzit më të famshëm në botë. Jeni i lumtur?
Brenda meje, në thellësi, ka diçka të trishtuar që e kisha që fëmijë, një ndjesi e vështirë për t’u përcaktuar, sepse gjej gjithmonë diçka që nuk kthehet, që do doja ta kisha, por nuk e kam, edhe në raport me njerëzit.
Thonë që jeni një njeri i ashpër, por shumë i respektueshëm dhe i edukuar me vartësit tuaj...
I kam mësuar nga mamaja ime. Ajo kishte shumë pak miq, sepse nuk kishte kohë: tre fëmijë për të rritur dhe një burrë që nuk ishte kurrë. Por në të njëjtën kohë, kishte respekt të madh për njerëzit. Kjo më ka ndihmuar shumë në jetë.
Sa e rëndësishme është familja?
Tek familja kthehesh gjithmonë. Madje, e vetmja gjë që ka kuptim është familja. Kur mendon se je gati të largohesh prej saj dhe të nisësh një jetë tënden, në fund është një moment kur familja të duhet për të kujtuar momentet e bukura dhe të vështira të kaluara së bashku, të duhet për të gjetur se kush je dhe nga vjen. Në periudhat e ngarkuara me punë dhe të shqetësimeve, merrja gjithmonë në telefon mamanë time dhe e pyesja nëse mund të shkoja për darkë nga ajo.
A ka ndonjë këshillë që ju ka dhënë mamaja, por që nuk e zbatuat kurrë?
Po, rreth 20 vjet më parë më kërkoi të hiqja dorë nga gjithçka. “Je në valët e suksesit, është momenti të heqësh dorë”, më tha. Por nuk i dhashë të drejtë, sepse mendoja se ishte shumë shpejt. Më shihte të stresuar, të lodhur, tërësisht të përkushtuar ndaj punës, duke lënë pas dore jetën. Kjo e bënte të vuante.
Ju vjen keq që nuk keni fëmijë?
Sigurisht, por nuk do të kisha qenë një baba i mirë. Do kisha qenë posesiv, i fiksuar që do më iknin nga duart dhe do të kisha vuajtur nëse do më kishin tradhtuar në njëfarë mënyre. Pastaj po ju them të vërtetën, nuk kam pasur kohë të mendoj për fëmijët sepse ky zanat të mbyt, të detyron të bësh vetëm një jetë, atë profesionale, sepse përndryshe nuk ia del dot.
Teksa mendon për të ardhmen, ju mbush me optimizëm apo ankth?
Varet nga ora e ditës, se me kë jam dhe nga angazhimet që kam. Kemi ulje-ngritje si të gjithë, edhe pse projektet e së ardhmes më bëjnë gjithmonë të jem optimist.
Cilat projekte futen tek e ardhmja?
Jam duke e strukturuar kompaninë, në mënyrë që kur të mos jem më, të tjerët të vazhdojnë të realizojnë atë që kam ndërtuar unë. Do të doja që, edhe kur të kem ikur nga kjo botë, emri im të mos fshihet kurrë.
#