E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton, njeriu i historisë

Ish-presidenti kundërthënës i SHBA-së angazhohet për ta zgjidhur një krizë, të nxitur nga një diktaturë e çoroditur, e cila është në shpërputhje me realitetin e Gadishullit të Koresë. Shumica e njerëzve janë të lehtësuar, por ka edhe skeptikë, të cilët shtrojnë pyetjen se "cili është çmimi që mund të jetë paguar për këtë depërtim?".

Bill Klinton, jo vetëm që e ka parë këtë film edhe më parë, por ai edhe ka aktruar në të, edhe pse në një rol të ndryshëm nga ai që ka luajtur këtë javë, me diplomacinë e tij lëvizëse në Korenë e Veriut. Suksesi i Presidentit të 42-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në arritjen e marrëveshjes, prapa skenave, për lirimin e dy gazetareve të arrestuara amerikane, në shkëmbim të paraqitjes së tij të papritur në Pyongyang, mund të sinjalizojë fillimin e një kapitulli të ri në njërën prej marrëdhënieve më të tendosura dhe më të rrezikshme të SHBA-së. Apo, sërish mund të dëshmohet si një fillim tjetër i dështuar me një regjim të izoluar e paranojak.

Sido që të jetë, kjo javë shënon përmbylljen e qarkut në jetën e Bill Klintonit, i cili, deri më tani, shihej si një burrështetas veteran, pa identitet të qartë dhe pa ndonjë rol të dobishëm për Presidencën e Barak Obamës. Një këshilltar i Klintonit theksoi se ish-kryetari amerikan është i gatshëm dhe i etur për të kryer edhe misione të tjera për Obamën.

Klinton, për herë të parë, u përball me Korenë e Veriut në pranverën e vitit 1994. Atëherë, ai ende ishte President i ri dhe konsiderohej relativisht i papërvojë kur bëhej fjalë për krizat e jashtme. Përkundër ngurrimit të madh, Klinton ishte gati për dhënien e urdhrit për një grumbullim të madh ushtarak, si reagim ndaj vendimit të Koresë së Veriut që t‘u japë fund inspektimeve ndërkombëtare dhe ta fillojë programin për prodhimin e armëve bërthamore. Brenda qeverisë së Klintonit, të shumtë ishin ata që mendonin se ky grumbullim mund të provokojë luftë në Gadishullin e Koresë. Koreja e Veriut, delikate si gjithmonë, kishte tërhequr vërejtjen për një "stuhi të zjarrit".

Në vitin 1994, ish-kryetari që doli në skenën koreane ishte Xhimi Karter. Shtëpia e Bardhë e Klintonit nuk i kishte kërkuar atij të shkonte në Korenë e Veriut, por pasi Karter tashmë kishte marrë vendim për këtë, ajo nuk tentoi ta bindë që mos ta bëjë vizitën. Në momentet e fundit, pikërisht në kohën kur Klinton po e zhvillonte takimin për ta miratuar grumbullimin ushtarak, Karter arriti marrëveshjen, në kuadër të së cilës Koreja e Veriut u pajtua t‘i japë fund programit të saj bërthamor, në shkëmbim për negociata të drejtpërdrejta me SHBA-në.

Për dallim nga Karteri, Klinton, në misionin e tij për lirimin e dy gazetareve amerikane, Laura Ling dhe Euna Lee, nuk veproi si "diplomat i pavarur". Edhe pse në Pyongyang qëndroi si "qytetar i thjeshtë", ai, për misionin e tij, e kishte miratimin e Shtëpisë së Bardhë dhe të bashkëshortes së tij, sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klinton. Klintoni, njësoj si Karteri, është duke kuptuar se vendi më i mirë për ta shfaqur rëndësinë si ish-president, janë vatrat ndërkombëtare të krizave.

Adhuruesja e Billit, komentatorja demokrate, Donna Brazile, theksoi se vizita në Korenë e Veriut dëshmon se Klinton ende i posedon aftësitë e duhura. "Shpresoj se kjo është një shenjë për gjërat që do të pasojnë, duke pasur parasysh zjarret e shumta me të cilat po përballet SHBA-ja. Njerëzit i besojnë dhe ai duhet të luajë rol të rëndësishëm. Kjo dëshmon edhe për vendosmërinë e Presidentit Obama për t‘i provuar të gjitha llojet e diplomacisë,

duke përfshirë këtu edhe diplomacinë e ushtruar nga pala e tretë", tha ajo. Madje, edhe para se të zgjidhej kryetar i SHBA-së, Bill Klintoni gjithmonë ka shpalosur prirjen e tij për të qenë në qendër të aksionit. Një këshilltar i lartë i Klintonit pati deklaruar: "Nuk është çështja se ai është ftuar për të ndërmjetësuar paqen në Lindjen e Mesme. Por, lirimi i gazetareve dëshmon se Klinton gëzon ende respekt jashtëzakonisht të madh. Shpresojmë se ai do ta shfrytëzojë këtë, për të lëvizur përpara".

Ish-negociatori amerikan për Korenë e Veriut, Robert Galluci,

theksoi se Klintoni ka qenë njeriu më i përshtatshëm për t‘i dhënë fund kësaj krize, duke pasur parasysh përvojën e tij me Pyongyangun dhe famën e tij. "Bill Klinton ndoshta e ka profilin më të lartë në planet, prandaj nuk ishte aspak e vështirë përzgjedhja e tij për këtë funksion", theksoi Galluci.

Debati tani po zhvillohet në lidhje me atë nëse do të turpërohet SHBA-ja, për shkak të përpjekjeve për t‘u angazhuar me një shtet për të cilin skeptikët besojnë se është i paaftë që të ndërmarrë reforma. Pas krizës në vitin 1994, Koreja e Veriut nënshkroi "Marrëveshjen për Kornizën", në kuadër të së cilës Pyongyangu u zotua se do të heqë dorë nga ambiciet e veta bërthamore, në shkëmbim për miliarda dollarë të ndihmave të huaja. Por, në fund marrëveshja u shemb si rezultat i akuzave se Koreja Veriore po e mashtronte bashkësinë ndërkombëtare dhe po e vazhdonte programin e vet.

Vizita e Klintonit do të ringjallë debatin në SHBA për atë se a duhet joshur apo konfrontuar ky shtet. "Koreja e Veriut e bën këtë gjatë gjithë kohës. Ata provokojnë dhe nevrikosin të gjithë, deri në momentin kur vjen dikush për t‘i ndihmuar që të dalin nga gremina", thotë Viktor Cha, nga seksioni për Korenë Veriore të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Dan Senor, ish-zyrtar në administratën e Xhorxh Bushit, i cili tani punon në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, thekson: "Gjasat janë të vogla që Kim Jong II do të ishte pajtuar t‘i falë dy gazetaret, pa marrë në shkëmbim diçka konkrete. Ndonëse në lojë kanë qenë jetët e njerëzve, ky mision i ka nevrikosur disa, sidomos aleatët tanë në rajon". Megjithatë, Xhoel Uit, i cili ka qenë këshilltar i Gallucit, ofron një interpretim më optimist. Sipas tij, Koreja e Veriut ndoshta është duke sinjalizuar se është e gatshme që t‘i përgjigjet Presidentit të ri amerikan, duke e ringjallur edhe diplomacinë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›