Song Hye-rim, dashuria e fshehtë e Kim tiranit
Një var i vetmuar në Moskë është vendi ku prehet aktorja kinematografike, që ka qenë edhe dashuria e parë e liderit të Koresë së Veriut, diktatorit Kim Jong Il dhe mamaja e djalit të tij të madh. Varri i saj ndodhet vetëm disa metra larg varrit të Vasilit, djalit të një tjetër diktatori, Josef Stalin dhe bashkëshortes së tij. Trupat e tyre prehen në varrezën e Troekurovskoes në periferi të kryeqytetit rus. Mbi varrin e ish- aktores ndodhet një gur i zi, në të cilin shkruhet emri i së ndjerës, Song Hye-rim, si dhe data e lindjes dhe e vdekjes. Mbi to, një dekoracion tipik oriental është gdhendur me ngjyrë të bardhë. Në perëndim të qeverisjes së Kimit, që mendohet se vuan nga një sëmundje e pashërueshme, po dalin pak nga pak fakte që dëshmojnë për komplotet, intrigat dhe prapaskenat që kanë shoqëruar gjithë vitet e qeverisjes së tij. Sipas një të arratisuri të nivelit të lartë, nga Koreja e Veriut, pasi kishte dëgjuar një thashethem për aktoren mes miqve të tij, dha urdhër që të ekzekutoheshin të gjithë ata koreanoveriorë që kishin studiuar në Moskë dhe që kishin dijeni apo informacion për praninë e saj. Verë Song, ndërroi jetë gjashtë vjet më parë, pas vitesh të gjata torturash nga një sëmundje e pashërueshme mendore. Ajo ishte mamaja e djalit të madh të Kim Jong II, Jong-nam. Djali i tretë i diktatorit, të cilin ai e ka me një tjetër grua, Koh Young-hee, e cila ka vdekur gjithashtu, pritet që të jetë trashëgimtari i pushtetit të të atit dhe të marrë në dorë fuqinë e tij si "lider i madh". Ky djalë, Jong-un, mendohet se ka mbështetjen e pjesës më të ashpër dhe të errët të lidershipit të vendit dhe ka pasur thashetheme se ndaj tij ka pasur disa tentativa për vrasje dhe atentate. Ndoshta, ky do të ishte akti i fundit i një drame, që nisi në sheshin e xhirimit të një filmi, në vitin 1960, në Pjonjang, ku Kim i ri takoi një grua më të madhe se ai në moshë, që interpretonte në filma me temë patriotike. Të dy filluan së bashku një marrëdhënie, edhe pse aktorja, Song, ishte e martuar me një burë tjetër dhe kishte një vajzë me të. Ata u divorcuan dhe pikërisht atëherë ajo nisi që historinë e saj t‘ia besonte edhe shoqes së saj të ngushtë, Kim Young-sun, që sot është 73 vjeçe. "Song ishte simpatike e me një fytyrë shumë vajzërore, por jo shumë bukuroshe, sepse kishte nofulla shumë të dala, që i jepnin fytyrës së saj një pamje të çuditshme dhe jo ovale, siç ishte koncepti i bukurisë. Por ishte një vajzë me humor dhe e këndshme", rrëfen ish-shoqja e ngushtë për të dashurën e Kim Young II. Ajo e ka rrëfyer gjithë historinë te një revistë koreanojugore, ndërkohë që jeton në Seul, që nga koha kur ia doli mbanë që të arratisej nga Pjonjangu. Ishte viti 1960, kur mikesha e saj, Song, të cilën e njihte që nga vitet e shkollës, e thirri për t‘i treguar të fshehtën e saj dhe se ajo po shpërngulej për të jetuar në rezidencën e Kim. Sipas rrëfimit atje kishte 8 kuzhiniere, 100 shërbëtorë dhe 500 truproja. Shoqja që e dëgjonte e kishte pyetur se si do t‘ia bënte me të shoqin, ndërkohë që kishte marrë si përgjigje fjalinë, se ndoshta atë nuk do ta takonte më kurrë. Në vitin 1971, Song solli në jetë një djalë, Jong-nam, dhe në dukje babai i ri ishte shumë i lumtur dhe i dashuruar me njeriun që i solli në jetë të birin. Megjithatë, si për çudi, jeta e Song nga ai moment nisi të ndryshojë për keq. Babai i Kim, fjala e të cilit ishte ligj në Korenë e Veriut, nuk e kishte miratuar kurrë marrëdhënien e të birit me aktoren e ndarë dhe ka shumë mundësi që ata të dy të mos kishin vënë kurrë kurorë. Në këto rrethana, sapo erdhi djali në jetë, babai vendosi që ta martonte të birin me një tjetër grua, Kim Young-suk, me të cilën Kim Jong II pati një vajzë. Të afërmit e Song dhe miqtë rrëfejnë se ajo ra në depresion të thellë dhe pati disa probleme të rënda mendore. Në këto rrethana, atë e larguan nga Koreja e Veriut dhe e dërguan në Moskë, në të cilin jetoi derisa vdiq në vitin 2002, nga shkaqe të panjohura. I biri i saj, Jong-nam, u shkollua në Gjenevë dhe Moskë dhe u rrit shumë i llastuar, ndoshta ngaqë nuk pati kurrë vëmendjen e prindërve. Sot ai e kalon kohën duke luajtur nëpër kazino, në vendet më të shtrenjta të botës. Motra e Song, Hye-rang arriti që të arratiset në Perëndim, por i nipi nuk ishte me shumë fat. Ai mbërriti në Seul dhe shkroi një libër për jetën në sferat e larta në Korenë e Veriut, por ndoshta prej kësaj humbi jetën nga një plumb në kokë në vitin 1997. Për sa i takon Kim, ai u bë dyshues dhe paranojak për të gjithë ata që mund të kishin informacione për dashurinë e tij të parë. Në vitin 1970, agjentët e tij kërkuan shoqen e ngushtë të Song dhe e degdisën atë së bashku me familjen në një kamp për të dënuarit politikë. Prindërit e saj vdiqën nga uria, ndërsa i biri u mbyt në lum në moshën 9-vjeçare. Ata u liruan vetëm pas nëntë vitesh. Vetëm së fundi, Kim Young-sun e mësoi arsyen e tmerrit që kishte kaluar. Ai i tha që të mos guxonte ta hapte gojën për shoqen e saj dhe për marrëdhënien me Kim Jong II. Në vitin 2001, ajo u arratis në Korenë e Jugut, ku mori një identitet të ri.