Klinton, premton epokë të re për SHBA-në

Ish-senatorja e Nju Jorkut Hilari Klinton ka marrë zyrtarisht drejtimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke premtuar për një epokë të re të diplomacisë së SHBA-së, por paralajmëroi se kohë të vështira janë përpara. Rreth një mijë punonjës u mblodhën në hyrjen e departamentit dhe brohoritën fuqishëm kur Klinton mbërriti atje në ditën e saj të parë të punës si Sekretare Shteti."Unë do të bëj të pamundurën në mënyrë që të punoj me ju për një diplomaci të fuqishme dhe zhvillim efikas, sepse këto janë veglat më të mira për një të ardhme sa më të sigurt të Amerikës", tha Klinton, duke shtuar se kishte mbërritur një epoke e re për vendin. Punonjësit e Departamentit të Shtetit do të marrin mesazhet e Presidentit Barak Obama dhe zëvendësit të tij Xho Bajden mbi sfidat që kanë përpara, ku përfshihen programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut, si dhe konflikti arabo-izraelit. Në skrivaninë e Sekretares së Shtetit Klinton ishte një letër urimi nga parardhësja e saj Kondoleza Rajs, që mbante këtë post gjatë administratës së ish-Presidentit Xhorxh W. Bush. Hilari Klinton, e cila ishte në garë për nominimin e Partisë Demokratike për Presidente në garë me Barak Obamën, deklaroi përpara stafit të saj se sfida të mëdha e prisnin departamentin e Shtetit. Klinton mori aprovimin e senatit të mërkurën, pavarësisht shqetësimit të republikanëve rreth aktiviteteve të fondacionit të bashkëshortit të saj Bill.