Klinton premton vizite ne Tiranen zyrtare

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton premton se do të vizitojë brenda këtij viti vendin tonë. Lajmi bëhet i ditur pas takimit që numri dy i qeverisë amerikane pati me ministrin tonë të Jashtëm, Edmond Haxhinasto në Bruksel ku po zhvillohet takimi i Përbashkët i Ministrave të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s. Në një njoftim të shkurtër të Ministrisë sonë të Jashtme thuhet se ministri Haxhinasto përsëriti ftesën për një vizitë të zonjës Klinton në Tiranë. Nga ana e saj, Klinton premtoi se në gjysmën e dytë të vitit 2012 do të vijë në Shqipëri. Ministri Haxhinasto ndodhet për vizitë dyditore në Bruksel. Ky ministerial mbahet përpara Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të Aleancës, që do të zhvillohet në Çikago, më 20-21 maj 2012. Takimi i Ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, ka për qëllim përgatitjen e çështjeve kryesore si: Afganistani; Paketa e Mbrojtjes; Partneritetet që do të diskutohen gjatë Samitit të Çikagos, dhe në këtë kontekst pritet t’i shtjellojë më tej këto çështje me rëndësi.