Klithin me poezi

Kur bërtasin gratë, ato bërtasin në mënyrë poetike. Klithma e grave u dëgjua edhe të enjten, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare, ku u mbajt aktiviteti letrar “Woman’s scream” (Klithma e gruas), aktivitet ky që u organizua në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë të Lëvizjes ‘Mujeres Poetas Internacional’, me seli në Republikën Dominikane.
Aktivitete në kuadër të këtij festivali organizohen në pesë kontinente. Kosova është përfshirë për herë të parë në këtë festival, në mesin e 52 shteteve të botës.
Poetja Edi Shukriu tha se ky është edicioni i dytë i festivalit, i cili sivjet organizohet me moton ‘Kundër dhunës ndaj gruas’.
“Është ky një aktivitet vjetor, në të cilin marrin pjesë shumë shtete të botës. Aktiviteti përfshin takime letrare, muzikore, ekspozita etj. Gjatë muajit mars të këtij viti zhvillohen shtatëdhjetë aktivitete në pesë kontinente të botës. Përpjekja disamujore bëri që Kosova të vendoset në mesin e shteteve të tjera të botës dhe të krijojë mundësinë për ndërtimin e urave të reja të komunikimit në rrafshin artistik”, tha Shukriu.
Ajo tregoi se Kosova arriti të përfshihet në mesin e shteteve pjesëmarrëse falë iniciativës, përkushtimit dhe këmbëngulësisë së poetit Fahredin Shehu, i cili është ambasador i asociacionit të poetëve të botës.
Poezitë e tyre i deklamuan disa prej poeteve të Kosovës. Mirëpo, me poezi nuk u prezantuan vetëm femrat por në mesin e tyre pati edhe poetë meshkuj, midis të cilëve edhe Ali Podrimja
Para se poetet të prezantoheshin me poezitë e tyre, studiuesja Sazana Çapriqi mbajti një kumtesë, e cila titullohej ‘E drejta e fjalës dhe të gjitha mungesat e gruas’. Sipas Çapriqit, shoqëria njerëzore tradicionalisht ka qenë e prirë të mendojë se hapësira publike e shoqërisë është zona e veprimit mashkullor, ndërsa hapësira private është zonë e veprimit femëror.
“Universi i letërsisë botërore shekuj me radhë dominohej nga emra të autorëve të shquar burra që e krijuan atë, ndërsa emrat e grave autore shekuj me radhë ishin të rrallë dhe krejtësisht të pavërejtshëm. Nga ana tjetër ky univers letrar ishte i stërmbushur me personazhe të grave si: Elektra, Antigona, Ifigjenia, Helena e Trojës, Ledi Makbeth, Fedra, Kresida, Kleopatra, Desdemona, Ana Karenina, Ema Bovari, Ofelia e shumë e shumë personazhe tjera”, u shpreh Çapriqi. Sipas saj, gruaja ka qenë frymëzim i përhershëm dhe gjithnjë e ka nxitur imagjinatën artistike të burrave. Ajo shtoi se prania kaq e madhe e personazheve gra në letërsi ka funksionuar si surrogat i një pranie reale të gruas në letërsi, kjo sepse, siç u shpreh Çapriqi, shpeshherë nuk është bërë dallimi i pjesëmarrjes së gruas në letërsi si objekt dhe si subjekt, nuk është bërë dallimi mes personazhit grua dhe autorit grua.
Duke folur për raportin e gruas me letërsinë, Çapriqi theksoi se ky raport paraqet një marrëdhënie jashtëzakonisht komplekse.
“Gruaja dhe letërsia duket sikur janë në një marrëdhënie të veçantë as dashuri e as urrejtje po herë-herë edhe dashuri edhe urrejtje. Në një anë gruaja synon të ndikojë te letërsia, të lë gjurmën e saj mbi të, duke e modeluar e duke i dhënë formë sipas dëshirës së saj, po nga ana tjetër edhe letërsia synon të veprojë mbi gruan, duke synuar ta mbajë nën kontroll dhe ta modelojë atë. Është ky një raport krejtësisht i ndryshëm nga raporti që ka një burrë me letërsinë”, tha Çapriqi.
Sipas saj, kur një grua nis të shkruajë ajo nuk gjen muzën e saj në mesin e veprave letrare dhe as nuk gjen ndonjë nënë që do ta merrte përdore e do t’ia tregonte rrugën.
Kumtesën e saj Çapriqi e përfundoi duke theksuar se gratë detyrohen të fillojnë gjithnjë nga e para rrugëtimin e tyre letrar.