“Klithma”, memoriali në Elbasan, në përkujtim të viktimave çame
Shoqata “Çamëria” ka organizuar ditën e djeshme në qytetin e Elbasanit një ceremoni, ku ka zbuluar memorialin “Klithma”, në përkujtim të 64-vjetorit të genocidit grek të ushtruar ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë, një vepër e realizuar nga skulptori Vladimir Caridha. Memoriali është vendosur në hyrje të bulevardit "Qemal Stafa" të qytetit të Elbasanit, në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit. Në këtë ceremoni kanë qenë të pranishëm me qindra përfaqësues të komunitetit çam që jeton në Elbasan, prefekti i qarkut, Shefqet Deliallisi, zyrtarë të pushtetit lokal dhe përfaqësues të forcave të ndryshme politike e intelektualë të fushave të ndryshme. Vepra, sipas skulptorit Vladimir Caridha, është titulluar "Klithma", pasi për shqiptarët kudo që ata ndodhen klithma e dhimbjes nuk ka marrë ende fund. Memoriali gërsheton figurën e një djali e një vajze që qëndrojnë në një breg, sikur duan të thonë se shpresa për një të ardhme më të mirë të këtij kombi do të jetë një realitet, që jo vetëm duket në horizont, por që do ta prekim të gjithë shumë shpejt.