Delegacioni parlamentar shqiptar niset në Këshillin e Evropës
Delegacioni parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës u nis ditën e djeshme në Strasburg, ku do të marrë pjesë në sesionin e kësaj asambleje, që do të zhvillojë punimet nga datat 23-27 qershor. Delegacioni kryesohet nga deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, i cili është njëkohësisht zv.president i Asamblesë Parlamentare të KE-së. Në përbërje të tij janë dhe deputetët Kastriot Islami i PS-së, Lajla Përnaska e PR-së dhe Paskal Milo i PDS-së. Në këtë sesion të Asamblesë Parlamentare të KE-së pritet të zhvillohet një debat urgjent mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Turqi, ku është ftuar të marrë pjesë dhe ministri i Jashtëm turk. Ky debat zhvillohet pas kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm turk për nxjerrjen jashtë ligjit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, partia e Kryeministrit Erdogan, si dhe pas pranimit që i ka bërë kësaj kërkese Gjykata Kushtetuese. Sipas njoftimit për shtyp, Asambleja do të diskutojë për situatën e demokracive në Evropë. Gjithashtu, në të parashikohet të diskutohet dhe për situatën e demokracisë në Kinë. Me cilësinë e kryetarit të Komitetit të Ministrave të KE-së, asamblesë do t'i drejtohet dhe ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, i cili do të informojë për prioritetet e Presidencës suedeze të KE-së. Ai do t’u përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të asamblesë.