E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Politikën në Tiranë e bëjnë gjelat

Kryetari i Partisë Socialiste konsideron se politikën në Tiranë e bëjnë gjelat. Një krahasim ky, që vjen së pari nga një politikan, i cili edhe vetë është pjesë e rëndësishme e politikës në Tiranë. Gjatë një takimi në Fushë-Bulqizë, kreu i PS-së vuri në dukje se duhen lënë mënjanë ndasitë e flamurëve të partive politike. “Për sa kohë do ta lini fatin tuaj në dorën e 5 gjelave në Tiranë, mos prisni të bëj vezë ndonjë pulë këtu. Prandaj ju them, lërini flamurët e partive, se nuk ia keni parë dhe nuk do t’ua shihni ndonjëherë hairin. Lërini flamurët e partive, lërini dasitë, jo ne socialistët, jo ju demokratët. Merruni të gjithë së bashku, me detyrën që kemi, t’ju krijojmë këtyre fëmijëve kushte më të mira, t’ju krijojmë mundësinë të rriten normalisht, që nesër të mos jetë të detyruar të marrin arratinë”, - deklaroi kreu i PS-së. “Dialogu me Shqipërinë” gjatë këtij muaji është përqendruar në problemet që ka fshati. Edhe në Fushë-Bulqizë çmimet e larta të produkteve bujqësore dhe e të gjithë mekanikës që duhet për punën me tokën, kanë qenë në qendër të problematikave që kanë pohuar banorët e kësaj komune. Rama u shpreh se i gjithë ky dialog shërben pikërisht për të identifikuar së bashku problemet dhe rrugëdaljet. Nga Fushë-Bulqiza, lideri socialist, Edi Rama, shkoi në një tjetër komunë, në Gur të Bardhë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›