E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan ; Përzgjedhja e gjyqtarëve në gjyqe, në mënyrë elektronike

Zhduket korrupsioni moral mes gjyqtarëve të Gjykatës së Elbasanit, por në institucion mungojnë ambientet për të zhvilluar seancat gjyqësore. Kryetari i kësaj gjykate, Arben Vrioni, është shprehur një ditë më parë se pas reformës që ka përfshirë organet e gjyqësorit shqiptar, një vëmendje të veçantë i është kushtuar rritjes së transparencës dhe zhdukjes së korrupsionit moral mes vetë gjyqtarëve. Për këtë arsye, sipas Vrionit, çdo kërkesë e procedimeve penale dhe civile hidhet me short elektronik. “Hedhja e shortit për gjyqtarët nuk është më në dorë të kryetarit të gjykatës. Çdo short kërkesë hidhet me short elektronik dhe është kompjuteri që përzgjedh gjyqtarin. Hedhja me short është programuar në mënyrë të tillë që sistemi elektronik të marrë në konsideratë ngarkesën për çdo gjyqtar. Një procedurë e tillë ka eliminuar atë që njihet si korrupsioni moral në gjykatë. Ndërkohë që zbatimi i orarit zyrtar të punës, disiplina dhe solemniteti në proceset gjyqësore janë elementë të tjerë që kanë sjellë ndryshime në gjyqësorin e Elbasanit. Me ndihmën e USAID-it është parashikuar përmirësim i sistemit kompjuterik. Është parashikuar vendosja e monitorit para gjykatës, që palët të kenë mundësi të njihen në çdo çast me proceset gjyqësore. Problem në Gjykatën e Elbasanit mbetet mungesa e sallave. Megjithatë, Gjykata e Elbasanit ka në dispozicion vetëm dy salla për zhvillimin e proceseve. Për këtë gjykatë, Vrioni thotë se mungesa e ambienteve është problem shqetësues. Kemi në dispozicion vetëm dy salla për zhvillimin e gjyqeve, kur të paktën duhet të ishin 6-7 të tilla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›