E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klithmat iraniane për ndihmë

Vdekje Rusisë dhe ambasada ruse është një çerdhe e agjentëve, ishin parullat e iranianëve të rinj në rrugët e Teheranit. Opozita në Iran është rikthyer dhe ka filluar luftën me një sarkazëm thumbuese. Me këto parulla përqeshet slogani i adhuruar i regjimit të Teheran:Vdekje Amerikës, por ato flasin edhe për një fakt tjetër: të rinjtë në Iran nuk dëshirojnë të jetojnë në një diktaturë apo autokraci si në Rusi apo Kinë, por dëshirojnë të jetojnë në një demokraci.

Kjo përqeshje asnjëherë më parë nuk ka qenë më e qëlluar sesa të mërkurën, 30 vjetorin e pushtimit të ambasadës së SHBA-së në Teheran nga ana e ithtarëve të Revolucionit Islamik, me ndihmën e të cilit mullahët u ngritën në pushtet.

Fëmijët e tyre tani shfrytëzuan parullat:Poshtë diktatura dhe Obama, ose je me ata ose je me ne, me popullin. Përkrahësit e Mir Hussein Mussavit, kandidatit zyrtar të opozitës, i cili pësoi humbje në zgjedhjet presidenciale që u zhvilluan më 12 qershor, në ditën e protestës janë të veshur me të zeza.

Përderisa ithtarët e regjimit në mëngjes u tubuan para ish-ndërtesës së ambasadës amerikane në Teheran, me dhjetëra mijëra ithtarë të opozitës u tubuan nëpër sheshe tjera. Ata u tubuan edhe para Universitetit të Teheranit dhe në rrugën Vali Asër. Mund të ndihet efekti i gazit lotsjellës, helikopterët e policisë qarkullojnë mbi qytet, ndërsa policia ka marrë urdhër të shpërndajë të gjitha tubimet protestuese.

Para ish-ndërtesës së ambasadës amerikane përsëritet rituali i përvjetshëm. Të tubuarit përsërisin parullën Vdekje Amerikës dhe djegin simbolikisht flamujt e SHBA-së. Televizioni shtetëror njofton vetëm për protestën zyrtare. Sa u përket protestave kundër regjimit, televizioni njofton se ato janë shpërndarë shumë shpejt nga ana e policisë.
Mehd P., një banor i Teheranit, para tri dekadave ka simpatizuar me pushtuesit e ambasadës, ai ka qenë idealist dhe ka dashur të luftojë për një shtet të drejtë. Për të, SHBA atëbotë ka qenë djalli i madh. Sot ai ka ndërruar mendjen:Para tri dekadave, pushtimi i ambasadës ka qenë një veprim i drejtë. Por, sot ideologjia anti-amerikane nuk është me vend dhe ne jemi shndërruar në peng të ideve tona, që i kemi pasur para tri dekadave, thotë Mehdi P.

Sipas tij, kjo ideologji e vjetruar po shfrytëzohet nga klerikët si armë kundër idealistëve të atëhershëm. Shumë njerëz, të cilët kanë qenë aktivë para tri dekadave, ka tashmë disa vjet që i janë bashkuar lëvizjes reformatore të ish-presidentit të Iranit, Mohammad Chatami. Shkëlqimi i këtij përvjetori ka humbur. Ne dëshirojmë marrëdhënie me SHBA-në, thotë një protestuese, duke pasqyruar kështu dëshirën e shumicës së të rinjve iranianë. (Die Welt)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›