E Diel, 1 Nëntor 2026

Klitschko mbron titullin WBC

Vitali Klitschko mbrojti titullin e kategorisë së rëndë në versionin WBC pas fitores me nokaut teknik në raundin e 10-të kundër Albert Sosnowskit në Gelsenkirchen, Gjermani. Sosnowski rezistoi deri në raundin e nëntë, kur u desh të mbahej për litari pas sulmit të furishëm nga Klitschko.

Mirëpo, ukrainasi e përfundoi përballjen në raundin e ardhshëm me një goditje të fuqishme me të djathtën, që e rrëzoi polakun dhe gjyqtari Jay Nady e ndërpreu luftën. “Jam në formë të mirë, Sosnowski është më i ri se unë, por njerëzit e panë se u paraqita mirë kundër tij”, tha Klitschko 38 vjeç, i cili siguroi fitoren e 40-të në karrierë dhe të 38-ën me nokaut.

Ndërsa, Sosnowski 31 vjeç, pësoi humbjen e tij të tretë në karrierë nga 49 meçe. “Jam paksa i dëshpëruar, sepse kam menduar se kisha rast të mirë për të fituar luftën. Jam në rregull, ishte goditje e rëndë, por isha edhe i lodhur dhe nuk pata energji të ngrihem. Jam mirënjohës për këtë luftë dhe shpresoj që në të ardhmen të më ofrohet rast i ri për të luftuar për titull”, tha Sosnowski. Klitschko ka bërë të ditur se kundërshtari i tij i ardhshëm do të jetë kampioni në versionin WBA, David Haye ose Ruslan Chagaev.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›