E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i përzierjes

Viteve të fundit janë shpeshtuar ndryshimet në krye të Komisionit të Garave të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Të shtunën Azem Brovina dha dorëheqje nga posti i kryetarit të këtij komisioni, me arsyetimin se dikush në FFK ka vepruar kundër një vendimi që kishte marrë më herët Komisioni i udhëhequr nga ai.

Në këtë rast, Brovina ishte prekur moralisht, me ç’rast edhe dha dorëheqje, pasi sipas tij, deri aty kishte punuar plotësisht në përputhje me aktet normative të FFK-së.

Para Brovinës, në postin e kryetarit të Komisionit të Garave ishte Arbnor Morina, i cili pas gjashtë muajve ishte larguar nga kjo pozitë, për të punuar si trajner në Kosovën e Vushtrrisë.

Sikurse Brovina, ashtu edhe Morina thotë se detyrën e tij e kishte kryer vazhdimisht në përputhje me aktet normative të FFK-së.

Por, për ta bërë një gjë të tillë, sipas Morinës, Komisioni i Garave në mbledhjet e saj duhet t’i mbyllë dyert e sallës, duke aluduar kështu se dikush tenton të përzihet në vendimet që merr ky komision.

“Unë e kam kryer punën time siç është më së miri, në një kampionat të vështirë kur po largoheshin gjashtë skuadra nga liga. Unë e kam kryer punën në bazë të rregulloreve dhe nuk i kam dhënë hapësirë askujt m’u ofrue te dera e sallës ku janë marrë vendimet. S’ka m’u ofru askush te dera edhe pikë”, tha Morina për Express, pa dashur të sqarojë se kush janë ata që kanë tentuar të hyjnë në mbledhjet e këtij komisioni.

Morina ishte emëruar kryetar i këtij komision, pas Abdyl Bellopojës, i cili kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, me arsyetimin se zyrtarët e FFK-së kanë tentuar t’i përzihen në vendimet e Komisionit të kryesuar prej tij.

Pasi pati dhënë dorëheqje, Bellopoja i pati kritikuar ashpër drejtuesit e FFK-së, duke thënë se në shtëpinë e futbollit kosovar ka konflikt interesi.

Mbrapa asaj deklarate, Bellopoja qëndron edhe sot. “Aty ka konflikt të interesave, sepse anëtarët e Komitetit Ekzekutiv janë edhe zyrtarë të klubeve që garojnë në Superligë, ose në Ligën e parë. Ku ka konflikt interesi, aty bereqet nuk ka”, deklaroi Bellopoja për Express.

“Brovina është larguar, sepse anëtarët e Komitetit Ekzekutiv ose krerët e FFK-së kanë urdhëruar dikë prej punonjësve aty, që paguhen me rrogë, nga e cila edhe varen, që t’ua kthejnë librezat Gjilanit. Ata nuk kanë pasur faj se kanë mundur të largohen prej pune”, shtoi ai.

Bellopoja pohoi se fakti që kryetarët e këtij komisioni po ndërrohen shpesh kohëve të fundit, tregon se aty diçka nuk po funksionon si duhet.

Në anën tjetër, kreu i FFK-së, Fadil Vokrri mohon që dikush tjetër të jetë përzier ndonjëherë në punët e këtij komisioni. Sipas tij, ndryshimet në këtë komision janë procese normale.

“Këto janë procese normale. Absolutisht asnjëherë dikush nuk është përzier në atë komision. Mirëpo, secili duhet t’i dijë kompetencat e veta. Kryetari i Komisionit është kryetar i vetëm atij komisioni, por jo edhe kontabilist. Për rastin e fundit, them se ajo deklaratë është pretekst, në mungesë të guximit për rastin e ndeshjes Fushë-Kosova – Ulpiana”, ka thënë Vokrri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›