Rama: “Berisha, fajtori dhe përgjegjësi i tragjedive që po godasin vendin”
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e akuzoi kryeministrin Sali Berisha si përgjegjës dhe fajtor për tragjedinë e Butrintit. Rama tha se dështimet e qeverisë “Berisha”, varfëria dhe pasiguria në vend, po i shtyjnë shqiptarët drejt vdekjes. Kryetari i Partisë Socialiste e akuzoi gjithashtu qeverinë për moratoriumin e skafeve, ndërkohë që Rama ka vijuar edhe dje akuzat për korrupsion dhe paaftësi ndaj qeverisë dhe kryeministrit Berisha. “Sali Berisha është përgjegjës i drejtpërdrejtë për këto që ndodhin dhe po kaq të papërgjegjshëm janë tellallët e tij të paturpshëm. Sali Berisha ka përgjegjësi sepse paaftësia, papërgjegjshmëria dhe korrupsioni që e ka kapur kryeministrin, i cili pastaj është kthyer në sekser i botës së përfitimeve të paligjshme”, - tha Rama.
Akuzat
Kryetari i PS-së deklaroi se në Shqipëri tragjedi të tilla do të vijojnë për fat të keq për sa kohë që vendi është zhytur në afera korruptive të qeverisjes, për sa kohë që varfëria dhe mungesa e sigurisë mbizotërojnë në vend. “Nga ana tjetër, kjo tragjedi është shprehje shembullore e asaj që ndodh sot në Shqipërinë e kapur nga të katërt anët prej korrupsionit, sepse ata njerëz të shkretë u mbytën në një tjetër vrimë të zezë të korrupsionit, një korrupsioni shtetëror, sepse shteti, përmes forcave të sigurisë dhe të rendit i është mbyllur një shteg normal kalimi, jo për matanë, por për një anë tjetër të Shqipërisë, 25 km larg kufirit, për të hapur një shteg të paligjshëm kalimi, ku sigurisht të shkretët njerëz duhet të paguajnë. U desh kjo tragjedi që kjo vrimë e zezë e korrupsionit të dilte në dritën e diellit dhe të bashkohej me gjithë këto vrima të zeza që i shohim në të katërt anët e vendit dhe sektorët e jetës”, - tha Rama. Ai kritikoi ashpër edhe deklaratat e bëra nga selia e Kryeministrisë, sipas të cilave tragjedia e Butrintit ishte një incident sporadik. “Nuk është as e moralshme, por as praktike që të bësh këtë që bën Sali Berisha dhe tellallët e tij kur thonë se ky na qenka rast sporadik, ndërkohë që në Shqipëri gjatë gjithë kësaj periudhe siguria e jetës është e kërcënuar dhe se na është dashur jo një herë, por disa herë të ngremë flamurin e zisë për shkak se kanë humbur jetë të pafajshme, të cilat janë jetë të humbura në vullkanin e korrupsionit”, - vijoi kreu i selisë rozë.
Moratoriumi
Kryetari i PS-së kritikoi ashpër moratoriumin e skafeve, një ndër ligjet e para të miratuara nga maxhoranca aktuale. Rama tha se moratoriumi i skafeve, ashtu edhe si çdo ligj tjetër, ekzekutohet vetëm për ata që respektojnë shtetin dhe ligjin, ndërkohë që thyhet për njerëzit që bëjnë pjesë në klanet korruptive të kryeministrit Berisha dhe qeverisjes së tij. “Jemi nën një moratorium për të cilin kryeministri i vendit ka shitur shumë mend dhe e ka penalizuar shumë subjekte dhe individë, duke u marrë shqiptarëve detin e tyre dhe duke e kthyer këtë det nga një burim mirëqenie, siç është në të gjitha vendet që kanë det, në një peng të propagandës qeveritare. E pra, ja shembulli se si moratoriumi, si të gjitha ligjet e tjera, ekzekutohet vetëm për ata që respektojnë shtetin dhe ligjin, ekzekutohet për ata që nuk kanë nevojë për masa penalizuese për të qenë qytetarë e qytetare që respektojnë normat e bashkëjetesës në një shtet. Ndërkohë që për trafikantët, për ata që abuzojnë me varfërinë, me ëndrrat e njerëzve të shkretë e të pafajshëm, deti dhe ujërat e Shqipërisë qenkan të hapura. Kjo është shprehje tjetër e dhimbshme e kohës që jetojmë nën këtë kryeministër dhe nën këtë qeveri”, - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Veliaj padit zëdhënësin e PD-së, Gerti Bogdani, për shpifje
Drejtuesi i G99-s, Erion Veliaj, dorëzoi dje në Gjykatën e rrethit të Tiranës dhe në Prokurorinë e Tiranës një kërkesë për fillimin e procedurave penale ndaj zëdhënësit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, për akuzën e shpifjes së bërë botërisht. Kërkesa për hapje procesi penal është bazuar në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, neni 120, paragrafi 2, si dhe në Kodin e Procedurës Penale, në nenet 59 dhe 61. Veliaj deklaroi se akuza të tilla dhe shpifje të vazhdueshme në adresë të tij janë bërë në mënyrë të përsëritur nga Bogdani, gjë që ka bërë që kjo sjellje pa integritet mos të meritojë më as mirëkuptim në bazë të angazhimit politik të zëdhënësit. “Sot i kam kërkuar Gjykatës së Tiranës dhe si palë e interesuar Prokurorisë së Tiranës, fillimin e procedurave penale ndaj zëdhënësit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, për aktin e shëmtuar dhe të përsëritur të shpifjeve publike. Zotërinjtë Berisha e Bogdani duhet t’u provojnë shpifjet e ulëta shqiptarëve, jam gjithë sy e veshë se ku do t’i prodhojnë vilat e imagjinatës së tyre mashtruese. Pasi sulmuan ndërkombëtarët, sot sulmojnë dhe organizatat që punojnë me ndërkombëtarët. I ftoj zotërinjtë e qeverisë që të thërrasin dëshmitarë të gjithë ambasadat që kanë financuar punën time në Shqipëri, Ambasadën Amerikane dhe ambasadat e vendeve të BE-së, për të kuptuar etalonin e transparencës dhe eficencës. Zoti Berisha nuk shqetësohej nga kontributi im te ‘Mjaft’-i kur ky i fundit me të drejtë kritikonte njësoj paraardhësin e tij. Kjo betejë nuk është vetëm për mua, por për të gjithë djemtë dhe vajzat e shqiptarëve të ndershëm, që hezitojnë të ëndërrojnë nga frika se mosangazhimi i tyre politik mbytet nga një mal me akuza të ulëta”, - tha Veliaj.
22 Tetor 2008