Klosi: “Kartat e korruptuara të identitetit, kërcënim për zgjedhjet e ardhshme”
Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, akuzoi qeverinë “Berisha” se jo vetëm që nuk po përmbush në kohë detyrimin për realizimin e regjistrit kombëtar të zgjedhësve dhe pajisjen e shtetasve me karta identiteti, por ka nxitur afera korruptive në këto dy procese. Klosi theksoi se një gjë e tillë do të dëmtojë zgjedhjet e ardhshme si dhe proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Procesi i realizimit të regjistrit kombëtar të shtetasve dhe ai i pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti tashmë mbulohen me afera korruptive, paaftësi totale të administratës dhe paqartësi teknike për zgjidhjen e tyre. Po e çojnë Shqipërinë gjithmonë e më larg afateve dhe kërkesave të integrimit europian dhe kërkesave të kohës e po ashtu jashtë çdo afati për realizimin e këtyre proceseve në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, - tha deputeti socialist.
Klosi tha se si rezultat i korrupsionit, rrezikohet seriozisht pajisja e shqiptarëve me karta identiteti përpara zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
“Përsa i përket kartave të identitetit, sot që flasim jemi në prag të muajit qershor 2008, muaji i premtuar nga qeveria disa herë se do e gjente Shqipërinë me një sistem, i cili do të fillonte të prodhonte kartat e identitetit, ndërkohë që sot qeveria shqiptare, në një proces të mbuluar me korrupsion, paaftësi dhe mosdëshirë për të bërë asnjë punë në këtë vend, ndodhet para gjykatave e akuzuar nga të 40 kompanitë që morën pjesë në tender, përveç asaj fituese. Po ashtu u gjet një situatë krejt në amulli me kompaninë fituese, e cila nuk merr përsipër të realizojë as me afat dhe as me cilësinë e kërkuar nga tenderi kombëtar i shpallur sistemin e kartave të identitetit”, - deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi.
31 Maj 2008