E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj: “Administrata, e mbushur me korrupsion dhe paaftësi”



Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, ka komentuar raportin më të fundit të Komisionit të Shërbimit Civil, i cili, sipas tij, përpiqet të mbulojë problemet e mëdha dhe shqetësuese që ka administrata publike sot. Xhafaj tha se ky raport është i pabesueshëm, pasi vetë institucioni i KSHC-së është zaptuar nga kthetrat e maxhorancës. Deputeti i PS-së theksoi se si rezultat i spastrimeve në administratë dhe emërimeve militanteske në të, buxhetit të shtetit po i shkaktohet një dëm i konsiderueshëm. Por, sipas tij, si të mos mjaftonte kjo, administrata është mbushur me korrupsion dhe paaftësi totale. “Cili është rezultati i këtij procesi? Nga njëra anë taksapaguesit shqiptarë paguajnë nga xhepat e tyre qindra e mijëra nëpunës të shkarkuar për motive politike, të cilët për këtë shkak kanë fituar të drejtën e tyre të ligjshme të paguhen për një vit rresht ose të rrinë në listë-pritje, pra të paguhen pa punuar dhe nga ana tjetër po formatohet një administratë e paaftë e, për rrjedhojë, edhe e korruptuar dhe jo eficente, administrata që pastaj bëhet barrierë dhe taksidare e biznesit, administrata që me këto cilësi lejon dhe ndihmon krime shtetërore me pasoja tragjike si ato të Gërdecit. Me këtë politikë po cenohen dy herë qytetarët taksapagues”, - tha Xhafaj.

31 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›