E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: “Kriza ekonomike në vend e ka prejardhjen te manipulimi i zgjedhjeve”



Manipulimi i kahershëm i zgjedhjeve nga maxhoranca e sotme është edhe bartës i krizës ekonomike. Partia Socialiste deklaron se kryeministri Sali Berisha nuk është i interesuar t’i japë zgjidhje krizës ekonomike. Deputeti Blendi Klosi deklaroi dje se kryeministri po fsheh krizën dhe se prova më e qartë është mosbërja transparente e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai theksoi se të gjitha vështirësitë e problemet me të cilat përballen sot shqiptarët, që nga rritja e çmimeve e deri tek injorimi i të drejtave të banorëve të Orikumit e tallja me kërkesat e minatorëve, e kanë origjinën te manipulimi i procesit zgjedhor. “Sali Berisha thotë se s’ka krizë, edhe pse qytetarët e qytetaret e këtij vendi e ndiejnë krizën sa herë u futet nën derë fatura e energjisë dhe e ujit. Sali Berisha thotë se kriza është një trillim i opozitës, a thua se prej opozitës vuajnë minatorët, prej opozitës nuk gjejnë dot të drejtën e tyre banorët e Orikumit, prej opozitës po flaken në rrugë arsimtarët, prej opozitës po rritet papunësia e varfëria”, - u shpreh Klosi. Sipas tij, Sali Berishës dhe maxhorancës së tij nuk i intereson nëse vendi është në krizë, pasi kjo qeveri e papërgjegjshme nuk është produkt i votës së lirë të shqiptarëve. “Për sa kohë standardet e zgjedhjeve demokratike, të lira e të ndershme, nuk do të arrihen, për sa kohë vota ndryshe do të hidhet në kuti e ndryshe do të numërohet, për sa kohë vullneti i popullit do të shtrembërohet ashtu siç ndodhi më 28 qershor, kjo situatë nuk ka për të ndryshuar. Për sa kohë do të lejohet manipulimi i zgjedhjeve, qeveria s’do të mendojë për shqiptarët, por vetëm për veten, pasi pushtetarët nuk do të kenë frikë nga ndëshkimi i popullit me votë”, - tha Klosi.

8 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›